Video/ Valon Ahmedi ose lojtari “asist” në Izrael

16 Dhjetor 2018
10:35
back button

Ishte 8 maj i vitit 2012, kur Skënder Gega drejtonte kombëtaren U-19 të Shqipërisë, koha kur pjesë e saj do të bëhej dhe një djalosh i talentuar nga Ohri, i quajtur Valon Ahmedi. Ish-trajneri i kombëtares, që aktualisht drejton Partizanin, kishte zbuluar një talent premtues për kombëtaren shqiptare, të cilit i shkon ftesa menjëherë.

Valon Ahmedi e ka pritur me shumë gëzim atë moment, ashtu siç është shprehur ai më pas, ndërkohë që nën drejtimin e Gegës në kombëtaren U-19 dhe më pas në ekipin Shpresa, talenti nga Maqedonia do të aktivizohej në 9 ndeshje duke shënuar dhe tre gola. Jo keq për një 18 vjeçar, që luan në mesfushë.

Grumbullimi në kombëtaret zinxhir të Shqipërisë dhe aktivizimi me Mariborin në Slloveni, bëri që Ahmedi të grumbullohet edhe me kombëtaren e parë të kuqezinjve. Ky ishte një sukses për djaloshin nga Ohri, por mungesa e hapsirës te Maribori sezonin e shkuar, bëri që futbollisti të lihej jashtë grumbullimit edhe nga Christian Panucci.

Vera e këtij viti ishte e duhura për Ahmedin, që të gjente një tjetër klub për të vijuar karrierën. 23 vjeçari u transferua në kampionatin izraelit, te skuadra e Kiryat Shmona. Fillimisht pakush mendoi se aty do të gjente veten shumë shpejt, por që në ndeshjet e para, Ahmedi tregoi se ishte një goditje në merkato. Shumë fantazi në lojën e ti, dribling, teknik dhe ritëm të jashtëzakonshëm në çdo ndeshje në mesfushën e ekipit izraelit.

Të gjitha këto mbajnë vulën e një futbollisti të vetëm, Valon Ahmedi. Në 11 prezenca në fushën e lojës, Ahmedi ka shënuar vetëm një gol, por nga këmbët e tij kanë dalë shtatë gola të tjerë. Pra fantazisti kuqezi ka asistuar 7 herë për shokët e skuadrës duke asistuar në gola me peshë për ekipin e tij.

Asistet kanë ardhur nga çdo pozicion i mundshëm, aksione, goditje këndi, goditje dënimi, pasime vertikale nga mesfusha dhe jo vetëm. Tashmë në Izrael kanë gjetur një “as”, që shërben nga të mundet duke ndihmuar jo pak skuadrën e tij. Të njëjtën gjë bëri dhe dje, Ahmedi asistoi në golin e vetëm për Shmona, në humbjen ndaj Beer Sheva-s.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit