Zyrtarizon transferimin te Twente, ylli i Shqipërisë si Mertens dhe Chadli në Holandë

6 Qershor 2019
20:51
back button

Futbollisti i përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, Lindon Selahi ka zyrtarizuar këtë të enjte transferimin e tij nga Standard Liege, te FC Twente, teksa ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me ekipin holandez, me opsion rinovimi për një vit të tretë. Futbollisti me kombësi shqiptare, i lindur në Belgjikë, pjesë e Shpresave Kuqezi,  ka përfunduar krejt rastësisht te FC Twente, sikurse deklaron vetë Ted van Leeuwen, drejtor sportiv te klubi holandez.

“Teksa po monitoronim tjetër futbollist, Lindon Selahi papritur kryqëzoi rrugëtimin me ne. Një mesfushor mbrojtës shumë i përgatitur teknikisht, vetëm 20 vjeç dhe me një fizik të fortë. Menduam se do të jetë një futbollist për të ardhmen. I duhet ende të bëjë disa hapa, por ka gjithçka për tu rritur në mënyrë të shkëlqyer. Për djem kaq të talentuar është e rëndësishme që të kenë në ekip futbollistë si Brama dhe Verhaegh”, deklaroi drejtori i Twente.

Lindon Selahi është aktivizuar te ekipi i të rinjve të Anderlecht dhe Standard Luik. Kontrata e tij me Standard nuk u rinovua, ndaj dhe u realizua një transferim me kosto zero te Twente. 

“Lindon pati disa problem te Liege. Dries Mertens dhe Nacer Chadli kanë dëshmuar se futbollistë të kategorisë së tij, ndonjëherë mund të shkëlqejn në Holandë. Gjithsesi ata janë sulmues, ndërsa Lindon mesfushor. Ne e shohim atë si një thesar të ardhshëm për FC Twente”, u shpreh Ted van Leeuwen.

“FC Twente është një klub i madh me një histori të pasur dhe stadium të madh. Ata janë rikthyer tashmë në nivelet më të larta në Holandë. Tani, e ardhmja ime është këtu dhe dua të jap maksimumin për klubin dhe tifozët”, u shpreh vetë Lindon Selahi gjatë prezantimit të tij te klubi holandez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit