Pas fitores 3-0 të Brazilit ndaj Skocisë, trajneri Carlo Ancelotti u ndal veçanërisht te rikthimi i Neymar, i cili u aktivizua për herë të parë në këtë Kupë Bote, pas një mungese të gjatë.
Italiani vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e sulmuesit brazilian gjatë javëve të fundit, duke theksuar se aktivizimi i tij ishte plotësisht i merituar: “Neymar pati mundësinë të luante sepse e ka merituar. Ai ka punuar me shumë seriozitet dhe ka treguar profesionalizëm të madh në stërvitje”.
Trajneri i Brazilit nënvizoi se cilësitë teknike të yllit të Santosit mund të jenë shumë të rëndësishme për skuadrën në vazhdimësinë e turneut: “Me cilësinë që zotëron, ai mund ta ndihmojë Brazilin në këtë Kupë Bote. Edhe në ato pak minuta që qëndroi në fushë, luajti mirë”.
Debutimi i Neymar në Botërorin 2026 u shoqërua me emocione të forta. Futbollisti 34-vjeçar u prit me ovacione nga tifozët në stadiumin e Miami dhe, pas përfundimit të ndeshjes, nuk i mbajti dot lotët, duke reflektuar emocionet e rikthimit me fanellën e Brazilit në skenën më të madhe të futbollit botëror.







