Ibrahimovic për Leao: Kur luan si ndaj Uzbekistanit është një nga më të mirët

25 Qershor 2026
8:08
Alfred Lleshi
back button

Zlatan Ibrahimovic komentoi në “Fox Sports” fitoren 5-0 të Portugalisë ndaj Uzbekistanit, duke veçuar Rafael Leao, autorin e golit të pestë që vulosi suksesin e luzitanëve.

“Shënuan golat që duhej të shënonin. Jam vërtet i lumtur edhe për golin e Leao. Për mua, ai është një nga më të mirët kur luan në këtë mënyrë. Shënimi i kaq shumë golave rrit shumë besimin e skuadrës, por nuk duhet të dehen nga suksesi, sepse ndeshja e ardhshme do të jetë me siguri më e vështirë se kjo”, – deklaroi suedezi.

Ndërkohë, e ardhmja e Rafael Leao vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara te Milani. Portugezi vazhdon të shmangë pyetjet për qëndrimin e tij në klubin kuqezi, ndërsa prej kohësh ka lënë të kuptohet se kërkon një sfidë të re dhe motivime të reja, pasi mendon se ka dhënë gjithçka për kuqezinjtë.

Pengesa kryesore për një transferim mbetet mungesa e ofertave konkrete. Megjithatë, një Botëror i suksesshëm me Portugalinë mund të zgjojë interesin e klubeve të mëdha. Nga ana tjetër, deklaratat pozitive të Leao për Ruben Amorim kanë hapur një dritare të vogël shprese për qëndrimin e tij te Milani. Nëse ishte thjesht një koment apo një sinjal për pajtim me klubin, do të kuptohet pas Botërorit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit