Bordi ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka hequr përkohësisht pezullimin ndaj Komitetit Olimpik Rus, që ishte në fuqi nga 12 tetori 2023. “Vendimi u mor pas një analize të plotë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore të IOC, duke marrë parasysh se Komiteti Olimpik Rus nuk ka më asnjë organizatë sportive rajonale midis anëtarëve të tij në territoret që bien nën juridiksionin e Komitetit Olimpik Kombëtar të Ukrainës“, thuhet në deklaratë.
“Për më tepër, Komiteti Olimpik Rus ka konfirmuar se nuk kryen dhe as nuk do të kryejë asnjë aktivitet në këto territore. Bordi ekzekutiv do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në lidhje me aktivitetet e Komitetit Olimpik Rus në këto territore dhe rezervon të drejtën për të marrë masa të mëtejshme nëse konsiderohet e nevojshme“, thuhet më tej një deklaratën e IOC.
Me fillimin e periudhës së kualifikimit për Lojërat Olimpike të “Los Anxhelos 2028” dhe nevojën për të siguruar akses të barabartë në këto gara për të gjithë atletët, bordi ekzekutiv i IOC ka vendosur që kushtet e pjesëmarrjes të rekomanduara për Federatat Ndërkombëtare dhe organizatorët e ngjarjeve sportive ndërkombëtare në lidhje me atletët dhe ekipet ruse, nuk janë më të zbatueshme.
IOC sqaroi se Komiteti Olimpik Rus duhet të sigurojë që përzgjedhja e atletëve rusë për Lojërat Olimpike të bazohet jo vetëm në performancën e tyre sportive, por edhe në aftësinë e tyre për të shërbyer si modele që respektojnë, mbështesin dhe promovojnë një shoqëri paqësore përmes sportit, siç përcaktohet në Kartën Olimpike.
IOC thekson gjithashtu se të gjithë atletët rusë që kthehen në garat ndërkombëtare duhet të përmbushin kërkesat përkatëse antidoping, veçanërisht ato të përcaktuara nga rregullat antidoping të IOC dhe Federatave Ndërkombëtare. IOC do t’i udhëzojë Agjencisë Ndërkombëtare AntiDoping të sigurojë që të gjithë atletët e kualifikuar rusë të jenë testuar në mënyrë të pavarur duke ndjekur të njëjtën procedurë.







