Marc Cucurella e kishte premtuar para Botërorit: “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do të bëj tatuazh fytyrën e Luis de la Fuente. Të vogël, por mendoj se do të jetë një kujtim i bukur”.
Pas triumfit të Spanjës në finale ndaj Argjentinës me rezultatin 1-0, trajneri i “La Roja” iu rikthye premtimit të mbrojtësit: “Nëse bën një premtim, duhet ta mbash. Nuk jam edhe aq i shëmtuar”.
Menjëherë pas ndeshjes, Cucurella publikoi në rrjetet sociale: “A ka ndonjë tatuator këtu?” Mbrojtësi i ri i Real Madridit duket i vendosur ta mbajë fjalën.
I pyetur nga “MARCA” pas finales për vendin ku do ta bëjë tatuazhin, Cucurella u përgjigj: “Ende nuk e di. Duhet të mendohem se ku, do ta vendos. Njerëzit do të më pyesin, kështu që ndoshta nuk duhet të jetë në një vend shumë të dukshëm. Kemi një udhëtim të gjatë përpara, shpresoj të marr disa ide dhe pastaj do të duhet ta bëj”.
Për triumfin e Spanjës në Botëror, Cucurella tha: “Jam shumë krenar dhe i lumtur. Nuk është e lehtë të arrish deri këtu. Gjatë karrierës, sidomos kur je i ri, duhet të marrësh vendime të vështira. Ka njerëz që të thonë se nuk vlen apo se nuk do t’ia dalësh.
Të gjithë ata njerëz, i falënderoj për këshillat e tyre, ashtu si edhe të gjithë ata që më kanë ndihmuar. Ne kemi qenë kokëfortë, nuk jemi dorëzuar kurrë dhe sot kemi shpërblimin që jemi këtu”.
Pas finales në “MetLife Stadium”, mbrojtësi i kampionëve të botës shtoi: “Kjo verë nuk ka qenë e lehtë për ne, por jam shumë i lumtur. Kemi qenë bashkë për një kohë të gjatë. Erdhëm këtu me një objektiv, kemi bërë pothuajse 50 ditë grumbullim dhe tani është koha ta festojmë, të jemi bashkë dhe të kujtojmë të gjitha historitë tona”.







