Sulmuesi i Spanjës, çfarë injorimi ndaj Donald Trump! Ia dha dorën te ceremonia e medaljeve, por pa e parë fare në sy (video)

20 Korrik 2026
11:38
Alfred Lleshi
back button

Para finales së Kupës së Botës 2026, sulmuesi i Spanjës, Borja Iglesias, kishte bërë shaka, por edhe kishte lënë të kuptohej që situata nuk ishte aq e thjeshtë: “Njerëzit e dinë shumë mirë se çfarë mendoj, por nuk besoj se ky është momenti për të krijuar polemika. Shpresoj ta takoj në një moment kur të gjithë të jemi shumë të lumtur dhe që gjithçka të kalojë shpejt, që ta harroj”.

Pas triumfit të Spanjës ndaj Argjentinës dhe shpalljes kampione bote, erdhi momenti i ceremonisë së medaljeve. Iglesias bëri pikërisht atë që kishte thënë: ia zgjati dorën Donald Trumpit, por pa e parë fare në sy dhe kaluar para tij sa më shpejt të ishte e mundur.

Sulmuesi i Celta Vigos nuk luajti në finalen e Botërorit, por kishte dhënë kontribut gjatë turneut, me 73 minuta në 3 paraqitje. Ky moment mori vëmendje për shkak të qëndrimeve të mëparshme të Iglesias, i cili ka mbështetur protestat pro Palestinës, ka pikturuar thonjtë në të zezë në mbështetje të lëvizjes “Black Lives Matter” dhe ka dalë kundër homofobisë.

Ndërkohë, disa pamje që qarkulluan për Cristian “Cuti” Romero dhe pretendimin se ai nuk i dha dorën Trumpit, nuk qëndrojnë. Gjatë ceremonisë së Argjentinës, lojtarët alternoheshin mes dorëzimit të medaljeve nga Trump dhe Infantino, ndaj jo të gjithë patën të njëjtin moment kontakti.

Ndryshe ishte situata me Spanjën, ku ceremonia ishte më e ngadaltë dhe shtrëngimet e duarve me të dy, Infantino dhe Trump, ishin pjesë e protokollit. Borja Iglesias zgjodhi të mos e kthente një moment feste për shokët e skuadrës në një debat politik. I dha dorën Trumpit…, por pa e parë fare në sy, vetëm kaq.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit