Trajneri gjerman Julian Nagelsmann ka publikuar listën e kombëtares për ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, pas “Euro 2024”. Në këtë listë është përfshirë Angelo Stiller, si prurja e vetme e re. Lojtari i Shtutgartit është thirrur për herë të parë, i bashkohet “Mannschaft” në kuadrin e ndeshjeve kundër Hungarisë, e cila do të zhvillohet më 7 shtator në Düsseldorf, dhe tri ditë më vonë ndaj Holandës në Amsterdam.
Pavarësisht tërheqjeve të fundit të kapitenit İlkay Gündogan, Manuel Neuer, Toni Kroos dhe Thomas Müller, trajneri Nagelsmann ka vendosur të ruajë bazën e ekipit që mori pjesë në Europianin e kësaj vere, pa bërë ndryshime të rëndësishme. Çuditërisht, Antonio Rüdiger, qendërmbrojtësi i Real Madridit, nuk do të jetë pjesë e kombëtares për këto dy ndeshje. Sipas Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), lojtari ka rënë dakord me trajnerin për të marrë pak pushim, pas një vere intensive.
“Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur me paraqitjen e secilit lojtar gjatë Europianit. Prandaj, ne duam t’i japim skuadrës mundësinë që të tregohet sërish e fortë në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, – shpjegoi Nagelsmann. – Për sa i përket Stiller, sezonin e kaluar dhe tani përsëri ka treguar performancë shumë të mirë”.
Ja lista e plotë:
Portierë: Baumann (Hoffenheim), Nübel (Shtutgart), Ter Stegen (Barcelona)
Mbrojtës: Anton (Dortmund), Henrichs (Leipzig), Kimmich (Bayern), Koch (Frankfurt), Mittelstädt (Stuttgart), Raum (Leipzig), Schlotterbeck (Dortmund), Tah (Leverkusen)
Mesfushorë: Andrich (Leverkusen), Can (Dortmund), Führich (Stuttgart), Groß (Dortmund), Musiala (Bayern), Pavlovic (Bayern), Stiller (Stuttgart), Wirtz (Leverkusen)
Sulmues: Beier (Dortmund), Füllkrug (West Ham), Havertz (Arsenal), Undav (Stuttgart)







