Trajneri Erik ten Hag këmbëngul se nuk është i shqetësuar për shkarkimin e tij pas fillimit të dobët të këtij sezoni në stolin e Manchester United. Skuadra e tij bëri një paraqitje të dobët ditën e diel, kur u mund 0-3 në “Old Trafford” nga Tottenham.
“Djajtë e kuq” kanë vetëm 7 pikë pas 6 javësh në Premier League, shumë pak për një skuadër legjendare dhe me pretendime. Megjithatë, Ten Hag, në sezonin e tij të tretë në këtë klub, është i bindur se vendimmarrësit e United do t’i japin atij kohë.
I pyetur për të ardhmen e tij, Ten Hag tha: “Unë nuk mendoj për shkarkimin tim. Të gjithë në unanimitet e morëm këtë vendim për të qëndruar së bashku. Gjithashtu, e morëm vendimin nga një rishikim i qartë se ku duhet të përmirësohemi dhe si duam të ndërtojmë një skuadër”.
“Ne e dinim se do të duhet pak kohë, si shkoi merkato dhe se si disa lojtarë vonuan të vinin këtu, siç ndodhi me Ugarte. Gjithashtu, ne duhet të bëjmë disa përmirësime në organizim, por patëm disa dëmtime dhe na duhet pak kohë”, tha Ten Hag.
“Ne jemi të gjithë në një anije së bashku, pronësia, stafi, trajneri dhe lojtarët gjithashtu. Unë nuk e kam atë shqetësim, pasi besoj te klubi dhe besimi që më ka dhënë gjatë gjithë kohës”, u shpreh Ten Hag për mediat.