Disfata 4-1 e Bayern Munich ndaj katalanasve të Hansi Flick bëri aq shumë zhurmë, sa u përhap në të gjithë Europën. Jo aq për shkak se Barcelona ishte një kundërshtar i përballueshëm në letër, por për shkak të mënyrës se si po rrjedhin gjërat për Kompany dhe lojtarët e tij, me vetëm një fitore në 5 ndeshjet e luajtura midis kampionatit dhe Europës.
Përveç mediave gjermane, megjithatë, edhe Lothar Matthaus, legjenda e Bayernit dhe kombëtares gjermane, ka dashur t’i drejtojë gishtin dikujt për humbjen 4-1, që pësuan “Die Roten” të mërkurën në mbrëmje. Domethënë, ka shigjetuar portierin dhe simbolin bavarez, Manuel Neuer:
“Nuk dua ta lëndoj Manuel, por për momentin nuk është shtylla e skuadrës, siç ishte në të kaluarën. Neuer nuk është vetvetja tani. Shpresoj që ta gjejë sërish lojën dhe besimin e tij të vjetër. Në të kaluarën, nga tri goditje në portë, ai priste patjetër një ose dy.
Ndaj Barcelonës duhej të kishte evituar një ose dy gola nga katër të pësuar. Goli i dytë i Barcelonës është një shembull i mirë për të treguar se nuk është vetvetja. Manuel hezitoi, më pas vendosi të dilte jashtë zonës, por nuk mundi të bënte asgjë për ta parandaluar golin”.
Ndërkohë, anëtari i bordit të drejtorëve për sportin, Max Eberl, ka shfryrë kundër gazetarëve kur u pyet për brishtësinë e supozuar të Bayern Munich në periudhën e fundit: “Merrni licencën e trajnerit, që të bëni pyetje më të mira. Është e lehtë për të fajësuar mbrojtjen kur pësoni një gol, ju dëshironi të na përçani”.