Te PSG nuk ka tension, madje as probleme mes trajnerit dhe lojtarëve. Luis Enrique e siguroi këtë në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Auxerre në kampionat: “Situata te dhoma e zhveshjes është e mrekullueshme, është e jashtëzakonshme. Ka një nivel personal dhe njerëzor që është vërtet në krye”, tha trajneri spanjoll.
“Unë gjithmonë e kam lavdëruar ekipin dhe lojtarët, nuk do t’u përgjigjem thashethemeve apo gënjeshtrave që mund të përhapen. Nuk mendoj se më takon mua të justifikoj se kë do të aktivizoj dhe kë jo. Skuadra është vërtet madhështore dhe nuk kam asgjë për të shtuar për këtë çështje”, tha Luis Enrique.
“Unë jam në futboll për më shumë se 30 vjet dhe nuk do të humbas energjinë time duke komentuar atë që thotë shtypi. Lufta ime është të ndihmoj ekipin dhe të përfaqësoj klubin tim. Kolo Muani dhe Skriniar? Do të duhet të shohim nevojat për afrime dhe të vlerësojmë lojtarët që duan të largohen. Shpresoj që deri në fund këta lojtarë të më bindin se e meritojnë të luajnë te PSG”, shtoi Enrique.
Duke folur për sezonin actual, ai shtoi: “Sezoni mbetet shumë i mirë. Kemi bërë disa gabime për sa i përket paraqitjeve në Champions, por është një sezon i mirë. Problemet mund t’i kapërcejmë. Këto rezultate nuk korrespondojnë me atë që kemi dhënë në fushë. Tashmë çdo gjë varet nga ne”.