U hodh sot në Zurich shorti i grupeve kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada pas një viti e gjysmë. Në Zvicër, kuqezinjtë tanë mësuan kombëtaret rivale që do të duhet t’i mundin për të siguruar kualifikimin e parë historik në Kupën e Botës së ardhshme.
Shqipëria ra në grupin K përkrah rivalësh të tillë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andora. Nga ana tjetër, Kosova “peshkoi” gjatë shortit të sotëm kundërshtarë si Zvicër, Suedi dhe Slloveni në grupin B.
Ja të gjitha grupet e zonës europiane, kualifikueset e Botërorit 2026:
GRUPI A: Fituesi i Gjermani-Itali, Sllovaki, Irlanda e Veriut, Luksemburg.
GRUPI B: Zvicër, Suedi, Slloveni, Kosovë.
GRUP C: Humbësi i Portugali-Danimarkë, Greqi, Skoci, Bjellorusi.
GRUPI D: Fituesi i Francë-Kroaci, Ukrainë, Islandë, Azerbajxhan.
GRUPI E: Fituesi i Spanjë-Holandë, Turqi, Gjeorgji, Bullgari.
GRUPI F: Fituesi i Portugali-Danimarkë, Hungari, Irlandë, Armeni.
GRUPI G: Humbësi i Spanjë-Holandë, Poloni, Finlandë, Lituani, Maltë.
GRUPI H: Austri, Rumani, Bosnje Hercegovinë, Qipro, San Marino.
GRUPI I: Humbësi i Gjermani-Itali, Norvegji, Izrael, Estoni, Moldavi.
GRUPI J: Belgjikë, Uells, Maqedonia e Veriut, Kazakistan, Lihtenshtajn.
GRUP K: Angli, Serbi, Shqipëri, Letoni, Andorra.
GRUPI L: Humbësi i Francë-Kroaci, Republika Çeke, Mali i Zi, Ishujt Faroe, Gjibraltar.
Në total, 16 kombëtare të UEFA-s (pra europiane) do të kualifikohen në Kupën e Botës 2026. Më saktësisht, 12 fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt për në fazën finale të Botërorit të ardhshëm. 4 vendet e mbetura do të përcaktohen nga “play-off”-et që përfshijnë 12 vendet e dyta të grupeve dhe 4 kombëtaret më të mira të Ligës së Kombeve (një nga çdo divizion), që nuk janë kualifikuar si të dytat. 16 pjesëmarrësit në “play-off”-t do të ndahen në katër grupe me nga katër ekipe secili, me gjysmëfinalet dhe finalen që do të zhvillohen në mars 2026.
Tetë ekipet që do të kualifikohen në çerekfinalet e Ligës së Kombeve (që do të zhvillohen midis 20 dhe 23 mars 2025, do të futen në shortin e ‘fituesve të Ligës së Kombeve’ në dy grupe të ‘pezulluara’: një për fituesin dhe një për humbësin e çerekfinaleve. Fituesi i çerekfinales do të ndodhet në një grup me katër ekipe (sepse pastaj do të luajë edhe ‘Final Four’). Humbësi mund të ketë mundësinë të përfundojë në një grup me katër ose pesë skuadra, në varësi të shortit.