Këtë sezon, turku Arda Guler e nisi fuqishëm kampionatin, por më pas, për shkak të dëmtimeve, paraqitjet e tij ranë dhe po gjen pak hapësirë te Real Madrid. Playmakeri, i konsideruar ende si një nga talentet më të mirë në skenën evropiane, po lufton për t’u rikthyer protagonist dhe këtë gjë mund ta bëjë larg “Bernabeu.
Guler ka mjaft admirues që e kërkojnë në formë huazimi dhe së fundi listës i është shtuar edhe Borussia Dortmund. Për pasojë, ai mund të largohet në merkaton e janarit. Gjithsesi, “los blancos” nuk kanë ndërmend ta largojnë dhe dobësojnë një ekip me mjaft dëmtime dhe me shumë pretendime këtë sezon.
Arsenal ishte ekipi i parë që mendoi për turkun, më pas Bayer Leverkusen dhe tani Borussia Dortmund, çka tregon se edhe lojtari do të thotë fjalën e tij. Skuadra verdhezi i ka bërë të ditur tashmë Real Madrid se në rast se lojtari dëshiron të shkojë diku tjetër do të jetë gati ta mirëpresë në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni.
Marrëdhëniet mes Real Madrid dhe Borussia Dortmund janë të shkëlqyera, por nuk ka gjasa që operacioni të përfundojë me sukses. Ende për momentin nuk ka filtruar asnjë dëshirë e Arda Guler për t’u larguar, pasi synon të bindë trajnerin Carlo Ancelotti.