“Ibrahimovic nuk është thjesht figurë zbukurimi te Milani. Kam ndaluar së ndjekuri mediat italiane, shpikin gjithçka”

23 Dhjetor 2024
10:48
Alfred Lleshi
back button

Gjatë diskutimeve në kuadër të studimit të Harvardit për Milanin, pronari i klubit kuqezi, Gerry Cardinale, foli edhe për rolin e Zlatan Ibrahimovic: “Shumica e njerëzve do ta konsideronin emërimin e tij si një ‘show’, ose do të mendonin për mua si një pronar të dashuruar me yjet. Është e kundërta: unë po kërkoj njerëz të nivelit botëror, që mund të na bëjnë më të mirë.

Me Zlatanin desha të tregoj se do t’i bëjmë gjërat ndryshe, sepse ekziston një nevojë e ligjshme për inovacion në menaxhimin më të mirë të këtyre burimeve. Kështu që e kam punësuar te ‘RedBird’ si partner operativ dhe këshilltar të lartë për pronarët te Milani.

Presioni mediatik? Kam ndaluar së lexuari gazetat në Itali, sepse thjesht shpikin gjithçka. E shoh gjithë këtë si një zinxhir vlerash me komponentë të ndryshëm. Tifozët bëjnë punën e tyre, por problemi është se shumica e pjesëve të tjera të zinxhirit e bëjnë më të vështirë për ne që t’u ofrojmë më të mirën tifozëve.

Mediat shpesh nuk ndihmojnë, as qeveria. Kohët e fundit kanë hequr përfitimet fiskale që merrnim kur paguanim lojtarët, duke e bërë edhe më të vështirë për ne të konkurrojmë me kampionate të tjera. Si na ndihmon kjo? Duhet të kuptojnë që futbolli është një nga eksportet më të mëdha të Italisë.

Berlusconi? Ajo që bëri Silvio me Milanin më kujton atë që bëri George Steinbrenner me New York Yankees. Të dy po ‘blinin’ kampionate (duke blerë lojtarët më të mirë në botë, pa kursyer shpenzimet). Në vitet ’80 dhe ’90 kjo ishte e mundur, por tani nuk mund ta bëjmë më. Po konkurrojmë me klube nga kampionate më të pasura dhe nuk mund të përballojmë të paguajmë lojtarët sa ata. Duhet ta shpenzojmë çdo dollar kapital në mënyrë më të zgjuar se rivalët tanë.

Shitja e Tonalit? Ne nuk e shitëm atë te Newcastle United sepse kishim nevojë për para. E shitëm sepse morëm një ofertë të shkëlqyer dhe bëmë një vlerësim risk-përfitim. Përfituam 70 milionë euro (përfshirë bonuset), plus një përqindje shtesë prej 10 milionë, shifra më e lartë ndonjëherë në Serie A.

Dhe falë asaj shitjeje kemi blerë gjashtë lojtarë të rinj, e kemi rinovuar plotësisht ekipin. Nuk shesim nga nevoja, por nga oportunizmi. Nëse qëndrojmë të disiplinuar, gjithmonë do të ketë palë në treg që do të lejojnë përfitime të jashtëzakonshme nga shitja e lojtarëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit