Interi është në finalen e Champions League për herë të dytë brenda tre vitesh. Dy vjet më parë, zikaltrit mbërritën si jo favorit dhe humbën me rezultat të ngushtë kundër Manchester Cityt, të cilët festuan me një gol nga Rodri.
Pas ndeshjes, ceremonisë së ndarjes së çmimeve dhe festës së madhe, Pep Guardiola u shfaq në konferencën për shtyp dhe tha diçka për Inter-in dhe Simone Inzaghi-n. Ato fjalë sot duken plotësisht profetike.
Guardiola festoi titullin e tij të tretë në Champions (vetëm Ancelotti ka fituar më shumë se ai). Një triumf që u shijua me dinjitet, pas finales, ai foli edhe për Inter-in dhe i dërgoi një mesazh të qartë trajnerit të zikaltërve:
“Do të doja t’i thoja Inzaghit se atë që po ndjen tani e kemi ndjerë edhe ne dy vjet më parë. Ai duhet të mendojë se po stërvit ekipin e dytë më të fortë në Europë, pra një ekip të shkëlqyer. Ai do të kthehet në finale. Sporti është i tillë: ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet”.
Pep kishte të drejtë. Interi është kthyer në finalen e Champions League, kundër PSG-së. Inzaghi do të përpiqet të imitojë plotësisht Guardiola-n, i cili humbi në vitin 2021 dhe fitoi dy vjet më vonë.
Guardiola, i cili gjithmonë e ka zemrën te Blaugrana, në fakt foli edhe për Inter-in javën e kaluar, duke lavdëruar si ekipin ashtu edhe trajnerin italian:
“Interi ka treguar edhe një herë, si kur i mundëm në finalen e Champions League, sa të jashtëzakonshëm janë: mënyra se si mbrohen, tranzicionet, fizikaliteti dhe organizimi i mirë. Inzaghi është një trajner i jashtëzakonshëm”.







