Nga ALfred LLESHI
Dështimi nga penalltia e Rey Manaj në ndeshjen e ethshme ndaj Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, përfaqëson më shumë sesa një rast të humbur sportiv. Në fakt është një episod emocionalisht i ngarkuar, që ka lënë gjurmë të thella në ndjesinë kolektive të tifozërisë shqiptare.
Ajo që u zhvillua në “Arena Kombëtare” nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli. Për shqiptarët, përballja me Serbinë mbart peshë historike, simbolike dhe identitare. Prandaj, atmosfera elektrizuese në stadium dhe rrugët e mbushura me ngjyrat kuqezi e kthyen këtë sfidë në një ditë gati kombëtare. Në këtë kuadër, penalltia e dhënë në fundin e pjesës së parë nuk ishte vetëm një mundësi për të fituar tri pikët, por për të arritur triumf moral e historik përballë një kundërshtari të ndjeshëm.
Manaj, i cili ka treguar grintë dhe sakrificë me fanellën kuqezi, u përball me presionin maksimal. Për të ishte një goditje që mund ta shndërronte në legjendë kuqezi. Gabimi nga pika e bardhë e ka vënë “në turrën e druve”… Në sportin elitar, presioni nuk është vetëm fizik apo teknik; më shumë është emocional dhe psikologjik. Shumë yje botërorë kanë dështuar nga pika e bardhë, sepse penalltitë nuk ekzekutohen vetëm me këmbë, por edhe me kokë e zemër.
Goditja e Manajt u prit nga portieri serb, duke zhytur në heshtje një stadium që kishte shpërthyer në entuziazëm pak çaste më parë. Reagimi i tij pas ndeshjes, kërkimi publik i faljes, ishte një akt përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj fanellës. Trajneri Sylvinho zgjodhi të marrë pjesë të përgjegjësisë mbi vete. “E caktova unë që ta gjuante Manaj penalltinë”, – tha ai, duke mbrojtur lojtarin nga një valë e mundshme kritikash shkatërruese.
Ky solidaritet brenda grupit është sinjal pozitiv për shpirtin e skuadrës, edhe në një moment zhgënjimi të madh. Ky barazim pa gola, me penallti të humbur, do të kujtohet gjatë jo vetëm për atë që ndodhi, por për atë që mund të kishte ndodhur. Shqipëria ishte shumë pranë një fitoreje të madhe, që mund të kishte shkundur jo vetëm grupin kualifikues, por edhe ndjenjën e vetëbesimit kombëtar.
Sidoqoftë, kombëtarja doli me një pikë dhe ruajti gjasat për kualifikim të mëtejshëm, por me një plagë emocionale që kërkon kohë për t’u shëruar. Futbolli është i pamëshirshëm. Një çast mund të të ngrejë në piedestal, një tjetër të të fundosë mes kritikash. Rey Manaj nuk ishte heroi i kësaj ndeshjeje, por nuk duhet të shndërrohet as në fajtorin absolut.
Më e rëndësishmja është që skuadra të mësojë nga ky episod dhe të ruajë kohezionin e brendshëm. Sepse për të arritur Botërorin 2026, duhet të fitohet jo vetëm teknikisht, por edhe emocionalisht. Kjo penallti e humbur është një plagë, por edhe mësim. Në rrugëtimin drejt një ëndrre të madhe, mësimet e dhimbshme janë shpesh gurë themeli.
Në këtë episod zhgënjyes nuk mund të anashkalohet përgjegjësia e trajnerit Sylvinho. Vendimi për t’ia besuar penalltinë Rey Manajt, ndonëse me qëllim pozitiv dhe i bazuar në stërvitjet apo përvojën e tij, është i diskutueshëm, sidomos në rrethanat specifike të këtij rasti.
Manaj kishte kaluar tri ditë me virozë, kishte marrë edhe serum, nuk ishte stërvitur me grupin deri në ditën para ndeshjes. Në këtë gjendje, ai nuk ishte në kushte optimale as fizike dhe as mendore për të përballuar një moment presioni ekstrem, siç është një penallti vendimtare ndaj Serbisë.
Trajneri është ai që ka pamjen më të qartë të gjendjes së lojtarëve të tij. Nëse e caktoi Manajn për penalltinë para ndeshjes, atëherë ai duhej të kishte fleksibilitet për ta rishikuar vendimin në bazë të zhvillimeve konkrete. Nëse vendimi u mor në moment, atëherë ai duhej të konsideronte formën dhe gjendjen emocionale e fizike të lojtarëve në fushë.
Në të dyja rastet, është legjitime që një pjesë e barrës bie mbi Sylvinho, pavarësisht përpjekjes së tij për të mbrojtur lojtarin. Nga ana tjetër, Rey Manaj njihet për karakterin e tij të fortë dhe dëshirën për të qenë protagonist, veçanërisht në situata me peshë. Nuk është hera e parë që ai rrëmben topin i pari kur jepet një penallti në kombëtare.
Kjo sjellje mund të jetë pasqyrim i dëshirës së madhe për t’u sakrifikuar për ekipin, por në raste të tilla mund të përkthehet edhe në ego sportive të tepruar, që nuk merr parasysh mirëqenien kolektive apo faktin se ndoshta një shok skuadre ishte në gjendje më të mirë për ta realizuar atë goditje. Në një skuadër të ekuilibruar, vendimet merren me qetësi, duke parë më shumë përtej emocioneve individuale.
Kjo penallti e humbur është më shumë se gabim i një lojtari; është pasqyrim i një vendimmarrjeje komplekse, ku ndërthuren përgjegjësia e trajnerit dhe karakteri i lojtarit. Kur ndodhin momente të tilla, nuk duhet të kërkojmë fajtor të vetëm, por të mësojmë si skuadër e si komunitet futbolli.
Sepse në fund, rruga drejt Botërorit kërkon jo vetëm lojtarë teknikisht të zotë, por edhe vendimmarrje të mençura dhe komunikim të fortë mes pankinës e fushës. Kjo ishte një penallti e humbur në fushë, që ka zhgënjyer pa masë tërë popullin kuqezi, por mund të jetë mësim i fituar në rrugën drejt pjekurisë së vërtetë sportive.







