Edy Reja ka dhënë një intervistë për “Sportske Novosti”, në të cilën ka bërë prognozën e ndeshjes së sotme të “Euro 2024”, mes Kroacisë dhe ish-kuqezinjve të tij.
Mister, çfarë prisni nga ndeshja mes Kroacisë dhe shqiptarëve tuaj?
Kam qenë në Dortmund ndeshjen e parë, jam i lidhur me “shqiponjat”. Dihet se Kroacia është favorite në çdo aspekt, në raport me stafet e lojës, përvojën e Modric & CO. Mirëpo, do të ishte e rrezikshme, madje e pakuptimtë, t’i nënvlerësoni shqiptarët. Ata nuk janë rastësisht në Europianin e Gjermanisë. Unë i mësova të luanin në mbrojtje, Sylvinho i rafinoi më shumë. Pranojeni, nuk është një mrekulli e vogël futbolli që Shqipëria zuri vendin e parë në grupin e saj në eliminatoret për këtë Europian dhe ishte më e mirë se Çekia e Polonia. Pra, jini të zgjuar…
Do të ishte vërtet e shëmtuar nëse kombëtarja kroate do të ngecte ndaj Shqipërisë dhe përjetonte eliminimin?
Po e them edhe një herë, mos e mashtroni veten, nuk do ta keni të lehtë. Në fakt, Kroacia e ka vënë veten në pozitë të vështirë me humbjen 3-0 ndaj Spanjës. I duhet patjetër fitorja ndaj Shqipërisë. Mrekullitë mund të ndodhin në futboll, edhe shqiptarët mendojnë se mund të nxjerrin një “gran colpo”, kështu që me ato tri pikë do të arrinin në vendin e tretë. Dhe juve, mos harroni, edhe nëse fitoni pikë ndaj Shqipërisë, ju duhet një rezultat pozitiv në fund ndaj Italisë. Nuk është e lehtë për ju…
A mund të qëndrojnë shqiptarët pa pësuar gol?
Është e vështirë të mbështetesh në këtë, nuk mund të luash për të mbrojtur rezultatin 0-0. Jini të vetëdijshëm që dhjetë nga lojtarët kuqezinj e kanë mësuar plotësisht ‘zanatin’ e tyre në klubet italiane. Këtu kam parasysh veçanërisht faktin se ata kryesisht luajnë në klube, që janë të dënuara të luftojnë për mbijetesë. Përjashtim bën Berat Djimsiti, i cili fitoi ‘Europa League’ me Atalantën në Dublin. Ka individë që mund t’ju shkaktojnë dhimbje koke. Do ta ndjek me shumë interes këtë ndeshje, si edhe ndeshjen e axurrëve kundër Spanjës. Mund të jetë interesante të shoh se çfarë mund të bëjë lojtari i Dinamo Zagrebit, Hoxha, sepse më thanë se është një driblues i papërshkrueshëm.