Krosimi i tij perfekt zhbllokoi ndeshjen mes Kroacisë dhe Shqipërisë (2-2). Kuptohet, u desh devijimi i zgjuar i Laçit, që topi të përfundonte në rrjetën e Livakovic. Pra, Jasir Asani është mes meritorëve për ndeshjen e sotme, tepër mbresëlënëse dhe drithëruese në çdo drejtim.
Pas barazimit 2-2, anësori kuqezi u shpreh: “E kishim analizuar shumë mirë Kroacinë. E nisëm shumë mirë ndeshjen, kishim 2-3 raste për golin e dytë në pjesën e parë. Nuk u dorëzuam, por ne jemi këtu për t’iu treguar të gjithë atyre që nuk kanë patur besim sa vlejmë.
Shpërtheva te të dy golat, por më shumë te goli i Laçit. Dhamë gjithçka, të gjithë. Me pak fat mund të kishim marrë 3 pikët. Spanja? Nuk i dihet asnjëherë. Ne do të futemi në fushë për 3 pikë. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë për 3 pikë”.