Dy golat e pësuar, sigurisht që nuk i lënë shije të mirë. Barazimi “in extremis” ndaj Kroacisë, pas asaj përmbysjeje të mëhershme dramatike kroate brenda dy minutave, e bën Berat Gjimshitin autokritik. Me të drejtë, si lider dhe kapiten i kuqezinjve. Duke folur pas barazimit 2-2 në Hamburg, mbrojtësi i Atalantës nënvizoi:
“Të them të drejtën jam i lumtur për ekipin, reagimi ishte i fortë. Në fund meritonim barazimin, nuk jam i lumtur me golat që pësuam. Kombëtareve të mëdha dhe me lojtarë të fortë nuk iu duhen shumë metra apo raste për të shënuar.
Deri në minutën e 74-t, kroatët nuk kishin raste, u mbrojtëm mirë. Por, ato dy gola, nuk e di çfarë të them, më duhet ende t’i përtyp. Si mbrojtës nuk mund të jem i lumtur për ato dy gola, në fund duhej të kënaqeshim me barazim.
Ndaj Italisë na mungoi agresiviteti, ndaj Kroacisë ishim gati dhe luftuam në çdo metër, pavarësisht emrave që kanë ata në mesfushë. Nuk i lamë të lirë dhe shkaktuam faulla, i penguam.
Spanja? E njeh gjithë bota, është favorite në çdo ndeshje që luan. Spanja është favorite edhe për të fituar Europianin. Për rrugën që kemi përpara, me pesë ditë kohë, do të mundohemi të përgatitemi mirë dhe t’i bezdisim. E respektojmë Spanjën, por do të provojmë shanset tona.
Tifozët janë gjithmonë të mrekullueshëm, i falenderojmë se na mbështesin pa limite, jo vetëm në stadium. Më kanë bërë të ndjehem krenar, më vjen mirë edhe që Hysaj reagoi në fushë. Ai ka 10 vite eksperiencë, jam i lumtur për të, sepse bëri ndeshje fantastike”.