Arsenal arriti një fitore të madhe 2-1 në fushën e Newcastle në Premier League, sukses me përmbysje që erdhi në minutat e fundit. Një nga protagonistët e “topçinjve” ishte Mikel Merino, që realizoi golin e barazimit provizor.
“Është e pabesueshme të fitosh këto lloj ndeshjesh. Të shënosh në fund është gjëja më e mirë. Por padyshim, nga pikëpamja ime, është edhe më e veçantë. Të qenit në gjendje të shënosh dhe të ndihmosh ekipin është diçka e jashtëzakonshme. Nuk mund të kishte shkuar më mirë, duke fituar në minutën e fundit”, tha Merino.
Merino luajti një sezon te Newcastle përpara se t’i bashkohej Real Sociedad: “Të kthehesh këtu është gjithmonë bukur, të shohësh fytyra të njohura, miq të vjetër. Kam kujtime fantastike nga ky vend. Edhe pse isha këtu vetëm për një vit, është ende një pjesë e rëndësishme e jetës dhe karrierës sime”.
“Ne e dimë sa mirë po luajmë, çfarë lloj performancash po bëjmë. Një fitore si kjo ndaj Newcastle tregon karakterin e ekipit, sa shumë i besojmë njëri-tjetrit, sa të sigurt jemi në aftësitë tona”, tha Merino.
Në fund, mesfushori spanjoll i Arsenal tha: “Kjo nuk ndryshon pavarësisht rezultatit. Jemi të sigurt, kemi një skuadër të jashtëzakonshme, një staf të jashtëzakonshëm dhe tifozë të pabesueshëm, kështu që jemi gati”.







