Më të mirët 2024-2025. FSHF & Abissnet nderojnë futbollistët dhe trajnerët më të mirë të moshave

16 Tetor 2025
18:41
Telesport
back button

Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania “Abissnet”, sponsor zyrtar i kampionatit “Abissnet Superiore”, zhvilluan sot në “Shtëpinë e Futbollit” një event të veçantë për të nderuar më të mirët e sezonit 2024-2025 në kampionatet U15, U16, U17, U18, U19 dhe U21.

Lojtarët më të spikatur në secilën grupmoshë u përzgjodhën si pjesë e formacionit të vitit, ndërsa trajnerët më të mirë u vlerësuan për kontributin e tyre në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Në total u shpërndanë 72 trofe për futbollistët dhe trajnerët më të spikatur.

Aktivitetin e përshëndeti Ardi Behari, përgjegjës i departamentit të skautizimit, edukimit dhe ekipeve kombëtare në FSHF, i cili i uroi suksese të gjithë fituesve dhe nënvizoi rëndësinë e promovimit të talentit të ri në futbollin shqiptar.

Një përshëndetje mbajtën edhe Tomas Menkshi, Menaxher i Kontratës së Sponsorizimit pranë Abissnet sh.a., i cili shpalli emrat e fituesve, dhe Megi Lipo, Menaxhere e Promocionit pranë kompanisë, e cila iu dorëzoi të gjithë fituesve trofeun e veçantë.

Ky event shënoi një moment të veçantë për të njohur dhe vlerësuar talentin e të rinjve që po japin një kontribut të madh në zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit