Sulmuesi i Polonisë, Robert Lewandowski, ka paralajmëruar Kylian Mbappe për vështirësitë e të luajturit me maskë, përpara ndeshjes së tyre të në Dortmund ditën e sotme.
Les Bleus tashmë kanë konfirmuar vendin e tyre në raundin e 1/8-ave, pasi kanë grumbulluar katër pikë nga dy ndeshjet e grupeve. Megjithatë, një fitore ndaj Polonisë është e domosdoshme për të fituar Grupin D.
Mbappe pritet të jetë titullar në Signal Iduna Park pasi qëndroi në stol në në barazimin e tyre me holandezët javën e kaluar.
25-vjeçari mori një goditje në hundë gjatë ndeshjes së parë në Europian kundër Austrisë. Si masë paraprake, Deschamps e la pushim Mbappe në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve.
Tani, Kylian mund të kthehet në formacion, por me një maskë për të mbrojtur hundën e thyer. Lewandowski, i cili luajti me maskë në fund të sezonit 2014-15 me Bayern Munich, paralajmëroi Mbappe për vështirësitë me të cilat mund të përballet.
Polaku tha:
“Kur më është dashur të mbaj maskë vetë, nuk ka qenë e bukur, është mjaft e bezdisshme, sidomos në zonën e rreptësisë, kam pasur probleme, nuk kam reaguar, nuk mund të shihja, më është penguar fusha e shikimit. Janë disa milisekonda, por mund të ngadalësojnë një lojtar.
“Është një sfidë, nuk është e këndshme, por sigurisht që shëndeti i një lojtari është më i rëndësishëm. Për një kompeticion, emocionet janë shumë të larta dhe të gjithë duan të luajnë me çdo kusht. Unë i kuptoj vështirësitë me të cilat përballet”.
Franca dhe Polonia takohen për herë të parë që nga përplasja e tyre në 1/8-at në Kupën e Botës 2022.