Bayern Munich po shkëlqen këtë sezon dhe pas 16 fitoresh rresht, bavarezët janë ndalur fundjavën e fundit në barazim 2-2 ndaj Union Berlin. Kompany duket se ka krijuar një ekip të kompletuar, i aftë për të mundur këdo dhe për të fituar gjithë trofetë e mundshëm.
Pavarësisht formës së mirë të treguar këtë sezon, Bayern Munich mendon edhe për merkaton. Te bavarezët ka një çështje që quhet “Dayot Upamecano”. Francezit i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni dhe deri tani nuk është arritur marrëveshja mes palëve për rinovimin.
Bavarezët nuk duan të humbin një lojtar të rëndësishëm si Upamecano, ndaj po përgatisin një ofertë që është e vështirë të refuzohet nga qendërmbrojtësi. Sacha Tavolieri raporton se Bayern është gati t’i propozojë një ofertë 5-vjeçare francezit, me një pagë vjetore 20 milionë euro, aq sa paguhen Manuel Neuer dhe Joshua Kimmich.
Për Upamecano, ka interes të madh nga Real Madrid, që po ndjek me shumë vëmendje situatën e francezit dhe është gati t’i ofrojë atij një rrogë të majme nëse vendos të transferohet te klubi madrilen.







