Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 16-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Besëlidhja vijon të komandojë renditjen. Lezhjanët fituan thellë 123-58 ndaj Fieri Basket jashtë fushe, në një ndeshje pa histori. Dean me 27 pikë e Lilaj me 25 pikë u dalluan për Besëlidhjen.
Thellë fiton edhe Vllaznia, që mundi në fushën e saj 118-68 Elbasanin, një ndeshje e dominuar e fituar me meritë nga shkodranët. Hibbitt dhe George, me nga 28 pikë secili, u dalluan për Vllaznia që konsolidon vendin e dytë në renditjen provizore.
Befason Kamza Basket, që triumfoi 81-76 ndaj Apolonisë në Fier. Një përballje mes dy ekipesh që synojnë fazën play off e që dueluan deri në fund për fitore. Murray me 26 pikë u dallua për kamzalinjtë, duke i bërë të pavlefshme 32 pikët e Campbell për fierakët.
Fitore të rëndësishme korri Flamurtari, që falë 21 pikëve të Jalyn Williams mundi 79-59 Partizanin. Ekipi i Skënderbeut fitoi 105-86 ndaj Pogradecit në derbin juglindor dhe mban të gjalla shpresat për një vend në play off (dyshja Brown-Mason realizoi 49 pikë).
Triumfon edhe Tirana, që në “Fahrie Hoti“ mundi 108-96 Teutën, në një përballje mes dy ekipesh pretendente. Bardheblutë ishin vazhdimisht në epërsi, duke u shkëputur gradualisht falë 28 pikëve të Rashun Williams, 23 të Massie e 22 pikëve të Jeffers.
Superliga-Meshkuj, java e 16-të
Flamurtari – Partizani, 79-59
Fieri Basket – Besëlidhja, 58-123
Vllaznia – Elbasani, 118-68
Apolonia – Kamza Basket, 76-81
Skënderbeu – Pogradeci, 105-86
Tirana – Teuta, 108-96
Renditja: Besëlidhja 32 pikë, Vllaznia 29 pikë, Apolonia 27 pikë, Tirana 27 pikë, Kamza Basket 26 pikë, Teuta 24 pikë, Skënderbeu 24 pikë, Fieri Basket 20 pikë, Elbasani 20 pikë, Pogradeci 18 pikë, Flamurtari 18 pikë, Partizani 17 pikë.







