Liga Unike/ Mbyllet sezoni i rregullt: Flamurtari mund Partizanin, humbet Tirana, ja ekipet që shkojnë në play off

11 Mars 2026
9:56
Telesport
back button

Janë luajtur takimet e javës së 10-të dhe të fundit të sezonit të rregullt të Ligës Unike në basketboll për femra. Pas këtyre ndeshjeve janë përcaktuar edhe 4 ekipet që shkojnë në fazën gjysmëfinale play off: Peja, Bashkimi, Flamurtari e Tirana.

Flamurtari fitoi 79-58 ndaj Partizanit në sfidën e luajtur në Vlorë, një ndeshje ku epërsia e skuadrës vendase erdhi duke u rritur nga perioda në periodë. Brisker me 24 pikë e Gedeon me 23 pikë u dalluan për Flamurtarin.

Skuadra vlonjate e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë dhe kualifikohet më tej, ndërsa Partizani detyrohet t’i thotë lamtumirë turneut. Në fazën play off shkon edhe Tirana, si forca e katërt, pavarësisht humbjes në sfidën e fundit.

Në “Fahrie Hoti”, bardheblutë u mundën 72-50 nga kosovaret e Bashkimi, që u renditën në vendin e dytë. Gjithçka u vendos në mesin e lojës, kur kosovaret u shkëputën dhe e merituan fitoren dhe kualifikimin.

Liga Unike-Femra, java e 10-të

Tirana – Bashkimi, 50-72

Flamurtari – Partizani, 79-58

Prishtina – Peja, 63-91

Renditja: Peja 19 pikë, Bashkimi 18 pikë, Flamurtari 16 pikë, Tirana 15 pikë, Partizani 12 pikë, Prishtina 9 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit