Futbolli i moshave, mes pasionit të zjarrtë dhe edukimit të qëndrueshëm

24 Mars 2026
11:34
Alfred Lleshi
back button

Nga Endrit Këmbaci

Ngjarja e Matteo Cicerit, trajnerit italian të pezulluar që hyri në fushë i maskuar si prift për të udhëzuar skuadrën e tij, pastaj shpërtheu ne veprime të ndaluara, është më shumë se histori komike apo skandaloze. Në fakt është një reflektim i fuqishëm mbi natyrën e pasionit në futboll.

Pasion i cili mund të digjet si flakë që nuk shuhet, por kur i lejohet të shpërthejë jashtë kufijve të respektit dhe rregullave, mund të djegë jo vetëm reputacionin e individit, edhe integritetin e lojës. Në nivelet më të ulëta, edhe në futbollin e moshave, ky mësim duhet të reflektohet qartë: rregullat dhe respekti janë themelet mbi të cilat ndërtohet çdo sukses i qëndrueshëm.

Si trajner i moshave në Shqipëri, e përjetoj çdo ditë se futbolli është më shumë se një sfidë fizike apo tekniko-taktike. Realisht është një “laborator jete”, ku secili pasim, çdo sprint dhe çdo gol është leksion i vogël mbi disiplinën, respektin dhe bashkëpunimin. Trajneri nuk është vetëm drejtues teknik, por një “skulptor i karakterit”. Ai formon jo vetëm muskujt dhe aftësitë sportive, por edhe zemrën e mendjen e të rinjve.

Mund të jetë një imazh i futboll, futboll dhe teksti

Rasti i Cicerit funksionon si një paralajmërim për të gjithë ne; dëshira për fitore nuk mund të kthehet në obsesion, teksa pasioni duhet të kanalizohet drejt rritjes dhe edukimit njerëzor. Trajneri i moshave është si një udhëheqës lundrimi në një det të trazuar, ai duhet të dijë të qetësojë valët e emocioneve, të tregojë drejtimin e duhur dhe ta ngrejë anijen e skuadrës mbi dallgët e konkurencës.

Në këtë kuptim, futbolli i moshave është shkolla ku çdo veprim ka pasojë, ku çdo vendim formon jo vetëm lojtarin e ardhshëm, por edhe njeriun që ai do të bëhet. Episodi ekstrem i Cicerit, mes komedisë dhe kaosit, na rikujton se edukimi, respekti dhe baza morale janë gurët e themelit që mbajnë lart çdo karrierë të suksesshme.

Futbolli nuk është vetëm lojë, është pasqyrë e jetës, ku pasioni dhe disiplina ecin dorë për dorë. Roli i trajnerit është të bëhet udhërrëfyesi që i mëson të rinjtë të ngjiten drejt majave sportive, pa humbur busullën morale njerëzore. Në fund, mësimi është i qartë: talenti mund të shkëlqejë, por vetëm mbi themelet e edukimit dhe respektit mund të lindë një kampion i vërtetë, brenda dhe jashtë fushës.

Trajneri i maskuar si prift sulmon lojtarët kundërshtarë, skandal në futbollin italian

Lajme të tjera

Lajmet e fundit