“Ajo darkë më bindi të vija këtu”, Sylvinho: Zgjedhje e rrezikshme? Shikoni Argjentinën…

9 Janar 2023
11:34
Denis Hakanaj
back button

Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur nga të gjithë si Sylvinho, është prezantuar sot si trajneri i i Shqipërisë. Braziliani do të nënshkruajë një kontratë prej një viti e gjysmë me Kombëtaren dhe ka si objektiv kualifikimin në Euro 2024. Kjo do të jetë aventura e tretë për 48-vjeçarin si trajner, pas atyre me Lyon-in në vitin 2019 dhe Corinthias-in në sezonin 2021-22.

Në lidhje me objektivat: “Para pak kohe mbaroi një Botëror që la shumë mesazhe të rëndësishme sa i përket metodave të lojës. Gjithashtu na la dhe mesazhin që futbolli është sakrificë, djersë dhe mund. Flasim për stazhin që do të bëjë grupi. Është një grup shumë i ekuilibruar. Nuk do të jetë e lehtë. Por ne duam të kualifikohemi. Do të punojmë fort për këtë objektiv. Është e vështirë, por ne do të luftojmë fort“.

Shqipëria dhe pikat e forta të Kombëtares: “A e njihja Shqipërinë? Dy ndeshje miqësore i kam parë. Kam punuar me Manajn kur ishte pjesë e Inter-it. Por e njihja shumë mirë Kombëtaren shqiptare. Ka futbollistë të rëndësishëm. Ne do të punojmë si staf. Do të nisim punën në Tiranë.

Pas kësaj kontrate do të nisim punën dhe do të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë monitorimi me stafin tim dhe më pas të shkojmë t’i shohim live në fushë. Kemi punë për të bërë. Kemi futbollistë të rinj. Në këtë pjesë kemi shumë për të bërë. Mendoj se është një kombëtare e rëndësishme. Doja të përmendja dy futbollistët që janë të dëmtuar dhe i uroj të kthehen sa më shpejt“.

Bashkëpunëtorët:  “Do kemi bashkëpunim me Zabaletën dhe Dorivën, jam i bindur që do bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne duam që të japim një ide të duhur për futbollin, duhet të jemi drejt një mendje dhe drejt objektivit. Duhet të kemi zemrën dhe shpirtin në fushë“.

Vendimi për të zgjedhur Shqipërinë: “Pse zgjodha një kombëtare? Çdo trajner bën zgjedhjet e veta. Dhe në darkën me presidentin Duka, më thanë të gjithë që është një projekt shumë i mirë me Kombëtaren shqiptare. Jam një njeri që më pëlqejnë sfidat. Mendoj se do të ndihem mirë në këtë projekt. Kjo më dha një shtysë të fortë që të zgjidhja këtë Kombëtare“.

Shqipëria si Argjentina: “Nuk i dihet nëse zgjedhja është e mirë apo e gabuar. Nuk mund të dihet asnjëherë. Në Botërorin e fundit Argjentina fitoi me një trajner të ri dhe të aftë. Mund të flas për atë trajner dhe stafin e tij. Megjithatë, përpara këtij Botërori ai nuk kishte rezultate të tjera. Mendoj se duhet të punojmë me talentin dhe me përgjegjshmëri të lartë. Më dha përshtypje shumë të mira ambienti dhe puna në Kombëtare“.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit