Pas lamtumirës emocionale me Real Madrid dy ditë më parë, Carlo Ancelotti tashmë ka udhëtuar në Brazil dhe ka mbërritur në Rio de Zhaneiro dje në mbrëmje.
Trajneri i ri i Seleçao u largua nga aeroporti i Barajas mëngjesin e të dielës me një aeroplan të marrë me qira nga Federata e Futbollit të Brazilit (CBF), i shoqëruar nga ndihmësit dhe familjarët e tij.
Prezantimi zyrtar do të bëhet sot në orën 15:00 me orën lokale (20:00 në Shqipëri) në një hotel në Barra da Tijuca, në perëndim të Rio de Zhaneiros, pasi auditori në selinë e CBF nuk është i pajisur për të akomoduar shumë gazetarë që priten (rreth 250, shumë prej tyre të huaj).
Pas prezantimit do të zbardhet lista me 23 lojtarët që do të dalin në fushë në ndeshjet kundër Ekuadorit dhe Paraguait, të vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2026 dhe më pas do të vijojë konferenca për shtyp.







