Berisha, gati të bëjë luftëtarin: Kam mentalitet fitues, dua Champions-in me Lazio

9 Gusht 2019
14:24
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Valon Berisha, mesfushori i kombëtares së Kosovës, foli për objektivat e tij dhe të Lazio në sezonin e ri. Ai dëshiron ta shpaguajë vetveten pas një sezoni më shumë në hije se në dritë. Pra, Berisha dëshiron “shëlbimin” pas dëmtimeve të shumta. Thënë më shkoqur, ish-ylli i Salzburgut dëshiron të rindërtojë veten. Objektivi? Të japë gjithçka, për t’u kualifikuar bashkë me Lazio në Ligën e Kampionëve.

Rruga e tij është e ngjashme me atë të shumë lojtarëve, të marrë vitet e fundit nga bardhekaltrit, si Luis Alberto, Felipe Anderson dhe madje, gjiganti Milinkovic-Savic. Pas një sezoni të kaluar në heshtje, kanë shpërthyer dhe janë bërë pikat e forta të ekipit kryeqytetas. Tani është koha për Berishën. Pikërisht kjo është ajo, që ai nënvizoi për “Corriere dello Sport”: “Unë kam një mentalitet fitues. Thjesht dua të fitoj në stërvitje dhe ndeshje. Unë dua të arrij një status të lartë dhe të luaj rolin tim, për të cilin më ka marrë Lazio”.


Përfaqësuesi i Kosovës u ndal mbi dëmtimet e shumta: “Para sezonit të kaluar nuk kam pasur kurrë kaq shumë problem lëndimesh. Jam ndalur vetëm një herë për kësi shkaqesh”. Fjalë plot zemërim dhe dekurajim, që na bëjnë të mendojmë për gjendjen shpirtërore, me të cilën u përball edicionin e kaluar. Arsyeja që e la atë larg fushave nuk ka të bëjë vetëm me dëmtimet, por edhe me faktorin e aklimatizimit, ardhja për të jetuar në një qytet të ri, kështu që ky lloj presioni nuk është i lehtë, sidomos për të huajt. Këtë e pranon edhe Valoni: “Ishte shumë e vështirë të vija në Romë dhe ta gjeja veten të vetmuar. Familja ime ishte larg, e ndieja distancën”.

Një ndihmë e madhe i erdhi nga Thomas Strakosha, që e konsideron “vëlla”. Familja është një konstante në jetën e secilit futbollist, por lidhja e fortë që ekziston mes Berishës dhe familjes së tij është shumë e qartë, kur shpjegon arsyet pse nuk pranoi ofertat nga Premier League, kur ishte shumë i ri: “Familja ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua. Doja të vazhdoja studimet, nuk isha i sigurt për një të ardhme si futbollist”. Por tani është koha ta kthejë faqen, ta shikojë të ardhmen me optimizëm. Berisha është i gatshëm të veshë maskën e luftëtarit për ta ndihmuar Lazio, që të arrijë qëllimin e madh sezonal: kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit