Janë zhvilluar takimet e raundit të 6-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Besëlidhja kampione vazhdon të jetë e pamposhtur (bashkë me Apoloninë), duke triumfuar sot thellë 103-59 ndaj Kamza Basket. Ndeshje e komanduar nga lezhjanët, ku plot 11 lojtarë realizuan në koshin e skuadrës kamzali (Edmonds me 18 pikë më i miri).
Fitore të rëndësishme korri në kryeqytet ekipi i Apolonisë, që mundi 99-71 Partizanin. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, në të dytën vjen shkëputja e skuadrës fierake. Campbell me 23 pikë ishte më i miri për Apoloninë, ndërsa 32 pikët e Davis për Partizanin mbetën për statistikë.
Një moment të mirë po kalon skuadra e Skënderbeut, që mundi 106-83 Fieri Basket në Korcë. Wakerfield me 40 pikë ishte lider për korcarët, që e merituan fitoren. Pa probleme triumfon edhe Tirana, që mundi 110-66 Flamurtarin e vendit të fundit. 6 lojtarë bardheblu realizuan mbi 10 pikë.
Fiton edhe Vllaznia, që në fushën e saj mundi 80-60 Pogradecin, që ende nuk ka asnjë fitore. Bryant me 27 pikë e Parker me 21 pikë u dalluan për shkodranët. Java e 6-të do të mbyllet ditën e hënë me ndeshjen Elbasani-Teuta.
Superliga-Meshkuj, java e 6-të
Tirana – Flamurtari, 110-66
Vllaznia – Pogradeci, 80-60
Skënderbeu – Fieri Basket, 106-83
Partizani – Apolonia, 71-99
Besëlidhja – Kamza Basket, 103-59
Elbasani – Teuta, 10 nëntor
Renditja: Besëlidhja 12 pikë, Apolonia 12 pikë, Tirana 11 pikë, Vllaznia 10 pikë, Skënderbeu 10 pikë, Kamza Basket 9 pikë, Teuta 8 pikë, Fieri Basket 8 pikë, Partizani 7 pikë, Elbasani 6 pikë, Pogradeci 6 pikë, Flamurtari 6 pikë.







