Casillas propozon ndryshime për “Topin e Artë”, i dërgon “zile” Real Madridit

16 Shtator 2019
9:46
Alfred Lleshi
back button

Legjenda e Spanjës dhe Real Madridit, Iker Casillas, beson se ylli i “Reds”, Virgil van Dijk, do të ishte një fitues i denjë i “Topit të Artë”. Megjithatë, për të është shumë e vështirë të zgjedhë vetëm një lojtar. Portieri i Porto, që po rikuperohet nga një problem serioz në zemër, zhvilloi një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh në faqen e tij në Twitter, të dielën. Ai iu përgjigj pyetjeve të fansave mbi një varg temash.

Casillas tha që Van Dijk, i cili e drejtoi Liverpool-in drejt lavdisë në Champions, sezonin e kaluar, do të ishte fitues i merituar i çmimit më prestigjioz individual të futbollit, por ndoshta do të ishte më mirë të kishte çmime të tilla në bazë të secilit pozicion në fushë. “Mendoj se ai ishte mbrojtësi më i mirë i sezonit të kaluar, – tha 38-vjeçari për hollandezin. – Çështja e “Topit të Artë” është e vështirë për t’u analizuar. Aq e vështirë është përgjigjja e pyetjes “kush e meriton”. Organizatorët duhet të krijojnë një çmim të tillë për secilin pozicion (rol): portën, mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin”.

Nëse kjo do të ndodhte, Casillas e di se kush do ta merrte votën e tij në rolin e portierit. “Kjo është pyetja 1 milion dollarëshe, – tha ai, kur u pyet se cili ishte lojtari më i mirë i momentit në rolin e tij. – Nëse do të më duhej të zgjidhja një, tani do të thoja Jan Oblak”. Më tej, 38-vjeçari mori në analizë portën e kombëtares së Spanjës. “Unë mendoj se është shumë mirë e mbuluar, – shtoi njeriu i 167 ndeshjeve me “La Roja”, kur u pyet për rolin e Kepa Arrizabalaga te Chelsea dhe Spanja. – Nuk kam në konsideratë vetëm tre portierët, që e frekuentojnë rregullisht kombëtaren. Ka edhe të tjerë, që janë atje, duke bërë presion të bëhen pjesë e Spanjës. Trajneri është ai që duhet të vendosë. Konkurrenca është e mirë. Prej saj, të gjithë fitojnë”.

Casillas nuk e di nëse do të luajë përsëri futboll, as nëse do të kthehet te Real Madridi: “Tani kam filluar një fazë të re në procesin e rikuperimit. Le të themi se duhet të kërkoj diçka më shumë nga zemra ime. Ngadalë, nuk kam nxitim. A do të kthehem te Reali? Ndihem shumë krenar që e kam veshur atë fanellë për 25 vite”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit