Cillessen-Krul, zëvendësimi gjenial historik i Van Gaal para penalltive

5 Korrik 2020
14:25
Alfred Lleshi
back button

22 qershor 1996, stadiumi “Zaccheria” në Foggia. Castel di Sangro dhe Ascoli janë duke luajtur minutat e fundit të kohës së rregullat të finales së “play off”-it të Serie C. Me rezultatin e barabartë, shkuarja te penalltitë është dicka e pashmangshme. Trajneri i “abruzzo”, Iaconi guxon të paimagjinueshmen: zëvendëson portierin De Iuliis, një nga pikat e forta të ekipit, dhe hedh rezervën e tij, Spinosa, para “ruletës” së penalltive. Ky i fundit nuk kishte luajtur asnjë minutë në atë sezon. Një veprim i dukshëm i çmendur, por që rezultoi i suksesshëm, sepse Spinosa do të bënte pritje të pabesueshme të 11-metërshave dhe do t’i jete Castel Di Sangro, ekipit të një fshati me 5500 banorë, gëzimin e promovimit të jashtëzakonshëm në Serie B.

Po e nisim nga ky rast “periferik”, vetëm për të nënvizuar se si i miri Louis Van Gaal nuk shpiku asgjë në fund të fundit, megjithëse nuk do e përjashtojmë faktin se midis leximeve të tij të shkëlqyera nga stoli dhe mrekullisë së Castel di Sangro ka hendek të madh. Sidoqoftë, trajneri hollandez, më 6 korrik 2014, 18 vite pas veprimit të cmendur të Iaconi në Foggia, pati guximin të besonte tek “i përbuzuri” i krejt edicionit, duke e aktivizuar në fazën e fundit të një Kupe Bote.

Pak kontekst, për ta kujtuar këtë episod historik. Hollanda në vitin 2014 ishte një ekip interesant, por jo i kredituar si pretendent në prag të Kupës së Botës së Brazilit, se nuk mund të ndiqte një rrugë kaq prestigjioze si ajo e katër viteve më parë. Sneijder, Robben dhe Van Persie janë ende në grupin portokalli, por ndjenja është se më e mira ka kaluar tashmë për ato yje si De Jong, Huntelaar dhe Kuyt, veteranë të shquar të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut. Van Gaal nuk e preku sulmin për sa i përket skuadrës së drejtuar nga Van Marwijk katër vite më parë, përkundrazi rinovoi shumë mbrojtjen dhe mesfushën, me dyshimin dhe ndjenjën se kishte humbur diçka për sa i përket cilësisë.

Rezultati 5-1, me të cilin Hollanda shkatërroi Spanjën në debutim, në fazën e grupeve, pa mëdyshje tregoi dy gjëra: që të rinjtë ishin pak të nënvlerësuar dhe të vjetrit nuk kishin arsye për t’u flakur. Këto fakte u konfirmuan me vazhdimin e Kupës së Botës. Në një grup jo të lehtë triumfoi me pikë të plota. Kujtojmë sukseset ndaj Australisë dhe Kilit për të kompletuar “foton” e liderit të grupit. pastaj sfida dramatike kundër Meksikës. Giovanni dos Santos dhe të tijtë kryesonin deri në 88′ , kur Sneijder së pari dhe më pas një penallti shumë e kontestuar, e kthyer në gol nga Huntelaar, siguruan përmbysjen e pabesueshme. Meksikanët shkojnë në shtëpi.

Pastaj çerekfinalja ndaj Kosta Rikës, surpriza e vërtetë e turneut, e aftë për të fituar grupin, duke likujduar Uruguajin, Italinë dhe Anglinë; më pas duke kaluar me sukses 1/8 finale kundër Greqisë. Portieri Keylor Navas ishte vendimtar për “Los Ticos”, sepse priti penalltinë vendimtare të Gekas dhe hodh themelet e shkuarjes te Real Madridi.

Hollanda gjendet ngushtë në stadiumin “Salvador”, ku zbulon se i kishte mbaruar të gjithë golat kundër Spanjës. Kosta Rika mbrohet mirë dhe jep idenë, jo aq të fshehur, se kërkon ta dërgojë fatin e ndeshjes te penalltitë. pas 120 minutash lojë, kur gjyqtari uzbekistanas, Irmatov, vërshëllen tri herë, të gjithë mbeten gojëhapur. Hollanda bën zëvendësimin e fundit: jashtë portieri Cillessen, në vendin e tij hidhet Krul. Nuk ka lëndim, por është një zgjedhje precize teknike. “Ruleta” e penalltive do të zgjidhej nga portieri i Newcastle.

Një veprim prej lojtari pokeri, jo trajneri futbolli. Van Gaal merr përsipër të gjithë përgjegjësinë për një humbje të mundshme dhe ndoshta lojtarët e tij e ndiejnë më pak peshën. Nga ana tjetër, Kosta Rika beson, e bindur se me Krul në portë, pa luajtur fare në finalet e atij Botërori, fati po i buzëqesh. Sidoqoftë, këto ndjesi rezultojnë të gabuara. Hollandezët shënuan të gjithë nga pika e bardhë, ndërsa Krul u bë hero i papritur, sepse priti goditjet e Ruiz dhe Umana. Më saktësisht, e dërgoi Hollandën në gjysmëfinale, për të dytën herë radhazi në Botëror.

Van Gaal bëhet protagonisti absolut i ndeshjes, teksa zbulon në faqen e internetit të FIFA-s të gjithë strategjinë e tij: “Ne i thamë Tim (Krul) se do të ishte portieri më i mirë për penallti, ngaqë është më i gjatë. Por ne nuk i thamë asgjë Cillessen, sepse nuk donim të ndërhynim në përgatitjet dhe përqendrimin e tij. Sidoqoftë, nuk kemi dyshime, Cilissen do të jetë titullar në ndeshjen tjetër. Vetëm në atë rast besuam që Krul do të ishte zgjidhja më e mirë dhe të kishim dhe ne kishim të drejtë. Kemi bërë mirë në të gjitha goditjet e penalltive”.

Cillessen, i cili padyshim nuk e mori mirë zëvendësimin në minutën e 121-të, do të rikthehej titullar në gjysmëfinale kundër Argjentinës. Një ndeshje që do të shkonte sërish te penalltitë, por kësaj radhe Van Gaal nuk guxoi ta përsërite “trukun” me portierët. Ai i besoi portierit të atëhershëm të Ajax-it në rastin e penalltive, por argjentinasit i shënuan rregullisht. Si do të kishte shkuar, nëse Van Gaal do të kishte guximin të përsëriste zëvendësimin “in extremis” në portë? Këtu është paradoksi i Van Gaal.. Zëvendësimi i tij prej gjeniu është bërë gjithashtu pendimi më i madh i karrierës….

Lajme të tjera

Lajmet e fundit