Fitorja fundjavën e kaluar 1-0 ndaj Leicester në kampionat ka rikthyer disi qetësinë dhe buzëqeshjen te skuadra e Chelsea, që është ngjitur në vendin e katërt në Premier League. Ndërkohë që, sot, londinezët do të luajë ndaj Copenhagen në ndeshjen e kthimit të Conference League (kanë fituar 2-1 sfidën e parë).
Për mediat foli mbrojtësi spanjoll Marc Cucurella, njeriu që i dha fitoren skuadrës londineze në sfidën e fundit: “Ne e dimë se duhet të mbrohemi me gjithçka dhe skuadra po e tregon atë së fundi. Luftojmë gjithnjë për tri pikët, për fitoren dhe për të arritur objektivat tona”.
“Personalisht jam shumë i lumtur. Mendoj se është një proces i gjatë, më duhej të punoja shumë në momentet e mia të këqija. Ndoshta diçka që duhet të përmirësoj është të jem më i saktë. Ne duhet të qëndrojmë së bashku. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme kur gjërat nuk shkojnë mirë“, tha Cucurella.







