Dalin pamjet e arrestimit, ja çfarë iu grabitën “skifterat” shqiptarë yjeve të Madridit

23 Tetor 2019
11:48
Alfred Lleshi
back button

Ishin bërë tmerri i madrilenëve, sidomos i atyre që kishin para e gjëra të çmuara në shtëpi. “Skifterët” shqiptarë kishin bërë shembull një personazh VIP spanjoll, Jose Luis Moreno, duke e vjedhur me dhunë që në vitin 2007, por nuk u ndalën këtu, pavarësisht se u ngrit në këmbë policia e këtij vendi. “Viktima” të radhës ishin futbollistë të dy klubeve të njohura të kryeqytetit spanjoll, Real dhe Atletico Madrid. Shtëpitë e tyre u thyen dhe u vodhën, ndërsa ditët e fundit hajdutët kanë rënë në pranga. Mediat iberike kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar nga “Europol” më 16 tetor, ku u arrestua një grup shqiptarësh, përfshirë edhe një femër spanjolle. 

Ata akuzohen se kanë grabitur shtëpitë e Joze Luis Moreno, që e goditën me sëpatë dhe përfundoi në gjendje të rëndë në spital; Karim Benzema, Alvaro Morato, Thomas Partey, Zinedine Zidane, Casemiro dhe Isco. Truri i grabitjes është një shqiptar, me emrin M.Z. Në viedon e publikuar nga “Europol” shihen momentet e arrestimit, por edhe sendet me vlerë të grabitura, ku nuk mungojnë as medaljet e Champions-it.

Ja shkrimi i medias spanjolle:

“Katër meshkuj po zbrisnin këtë mëngjes nga i njëjti furgon i “Gardës Civile”. Ata erdhën nga “Commando de Tres Cantos”, ku kishin kaluar dy netë në biruca. Pasi kanë dhënë një deklarata para kreut të gjykatës, ky i fundit  ka rënë dakord për paraburgim të përkohshëm të tre prej të arrestuarve, me kombësi shqiptare, që funksiononin si bandë e organizuar dhe vidhnin shtëpitë e njerëzve të pasur, disa prej të cilëve futbollistë të njohur. Një i arrestuar i katërt, me kombësi spanjolle, është liruar me kusht, por mbetet i akuzuar në këtë çështje.

Shqiptarët do të hetohen për kryerjen e dyshuar të krimeve të ndryshme, krijimit të grupit kriminal, pjesëmarrje aktive në 14 vjedhje shtëpish të banuara, falsifikim dokumentash dhe sulm kundër autoriteteve. Ky i fundit u krye në kohën e arrestimit të tyre, duke iu rezistuar agjentëve me dhunë. Drejtuesi i grupit quhet M.Z. dhe njihet me nofkën “Karkaleci”. Ai është 48 vjeç, u kap i veshur me një këmishë të verdhë dhe xhinse. Zbret i dyti nga furgoni i policisë, para se ta paralajmërojnë se ka kamera televizive. Kjo është arsyeja pse, kur zbret, shikon objektivat, buzëqesh dhe shkel njërin sy. Ai mori pjesë në grabitjen e producentit të njohur televiziv, José Luis Moreno, më 2007. “Karkaleci” vepronte nën urdhërat e A.B, një bashkatdhetari, që u kthye në vendin e tij, ku tani jeton në luks, pas vuajtjes së dënimit. 

Tani, M.Z. e drejtonte këtë celulë të vogël, të përbërë nga hajdutë. Ata vepronin me fytyrë të mbuluar dhe doreza, për ta bërë të vështirë identifikimin. Gjithçka vidhnin e shisnin në kohën më të shkurtër të mundshme. Pastaj ktheheshin në vendin e tyre për muaj të tërë, për të kaluar pushimet. Kur iu mbaronin paratë, ktheheshin sërish në Spanjë. Zefi dhe grupi i tij kanë vite që jetojnë në Madrid. Në kontrollin e shtëpive të të arrestuarve, agjentët zbuluan më shumë se 10 mijë euro, bizhuteri të shumta ari e tepër të çmuara, ora të shtrenjta dhe gjashtë monedha ruse të Lojërave Olimpike të Moskës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit