Devolli: Po na paragjykohet çdo fitore, edhe Mema gaboi

18 Mars 2019
10:56
back button

Ndeshja Kastrioti-Tirana vazhdon të prodhojë polemika e debat dhe duket se dy klube që kanë qenë shumë miq tashmë i kanë prishur marrëdhëniet.

Në Fushë-Krujë pati momente tensioni maksimal, gjatë dhe pas ndeshjes, ndërsa pamjet filmike evidentuan gjithë gabimet e arbitrit dhe më pas përplasjet mes policisë e trajnerit të Tiranës Ardian Mema.

Në lidhje me këtë çështje në "Rubrikën Sportive" në RTSH foli edhe trajneri i Kastriotit Bledar Devolli, i cili kërkoi të sqaronte disa gjëra, duke i dalë në mbrojtje skuadrës së tij dhe duke theksuar edhe faktin se Mema nuk duhej të futej fare në fushë pas ndeshjes, pasi kishte dalë me karton të kuq.

"Çdo fitore, brenda apo jashtë fushe, po na paragjykohet dhe kjo nuk më duket e drejtë dhe e ndershme. Duhet më shumë respekt për këtë ekip, që po i fiton ndeshjet në fushë. Këta djem janë të shkëlqyer, kanë talent, po luftojnë e sakrifikojnë dhe do e shihni në verë sa kërkesa do kenë. 

"Ndeshja mbaroi normalisht, po festonim dhe më pas problemet filluan kur trajneri i Tiranës shkoi të protestonte tek arbitrat. Aty nisën problemet, më duket një situatë e provokuar. Nuk kemi bërë asgjë, nuk ndodhi asgjë në fushë, ndeshja ishte fair-play dhe kjo nuk po theksohet nga askush. Ishte ndeshje e ashpër? Dakord, është normale, sepse kishte shumë rëndësi si ndeshje për të dyja palët. Nuk mund të hidhet poshtë djersa dhe mundimi i çunave. Shikoni pamjet e momentit të konfrontimit, nuk ka fare lojtarë apo drejtues të Kastriotit të pranishëm, përkundrazi disa shkojnë më pas për të qetësuar situatën.

"Trajneri i Tiranës ishte përjashtuar nga stoli pa përfunduar ndeshja, ndaj nuk ka të drejtë të futet në fushë, sipas rregullores që di unë. Nëse unë e kam gabim, tjetër histori".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit