Hidhet shorti, përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë

12 Mars 2024
11:31
Alfred Lleshi
back button

Tirana ishte me fat, nëse shohim shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, hedhur sot në FSHF, të paktën në letër. Kjo për shkak se do të sfidojë Kukësin e një mijë e një halleve, që po lufton për mbijetesë në Superiore dhe është shumë larg vetvetes, sa kishte presidentin Safet Gjici jashtë burgut.

Megjithatë, duke e pasur të freskët eliminimin e Partizanit në çerekfinale, në duart e verilindorëve, bardheblutë nuk mund të festojnë apriori. Do të jetë fusha e lojës, ajo që do të tregojë sa vlejnë të dyja skuadrat, por në parim, nëse goglat do t’i përballnin me Vllazninë apo Egnatian, shkalla e vështirësisë do të ishte e madhe.

Çifti tjetër gjysmëfinal, Egnatia-Vllaznia, është një “finale” e parakohëshme. Të dyja skuadrat, rrogozhinase dhe shkodrane, po i japin tonin edhe kampionatit, duke mbajtur dy vendet e para në klasifikimin aktual (i ndajnë vetëm 2 pikë, me rrogozhinasit kryesues prej thuajse krejt kampionatit).

Ndeshjet e kësaj faze, ku do të përcaktohen edhe finalistët e këtij edicioni, janë planifikuar të luhen në datat 3 prill dhe 24 prill, ndërkohë që finalja e madhe do të luhet më 14 maj.

Çiftet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë:

Kukësi– Tirana (3 prill)/ Tirana– Kukësi (24 prill)

Egnatia – Vllaznia (3 prill)/ Vllaznia– Egnatia (24 prill)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit