Dje u konfirmua zgjedhja përfundimtare e Rocco Vata për të luajtur me Republikën e Irlandës, në kombëtaren e madhe. Pra, me përfshirjen e tij në listën e kësaj kombëtareje për sfidën e marsit ndaj Bullgarisë në Ligën e Kombeve, djali i ish-kapitenit tonë të kombëtares, Rudi Vata, ka bërë zgjedhjen përfundimtare duke refuzuar të luajë me fanellën kuqezi.
Natyrisht, kjo zgjedhje ka shkaktuar shumë debate në rrjetet sociale, mes tifozëve kuqezinj. Faqja e njohur në “Facebook”, kushtuar talenteve shqiptarë, “Albanian Talents”, i ka marrë një reagim për këtë zgjedhje të të birit, Rudi Vatës.
Ky i fundit ka vazhduar të fajësojë drejtuesit e FSHF-së se nuk ishin interesuar për djalin e tij: “Ky vendim erdhi pasi ata që paguhen për të parë lojtarët me vlera dhe që mund të japin shumë për Shqipërinë, nuk kanë treguar interes për Rocco Vatën, as nuk e kanë kontaktuar më herët kur mund të luante për çdo grupmoshë të Shqipërisë.
U kujtuan tani për t’i dërguar ftesë me U-21, kur Irlanda A e kishte ftuar. Pra, e bënë këtë ftesë sa për të larë gojën. Rocco Vata nuk do ta gjejë kurrë tek Irlanda dashurinë që do të gjente te tifozët shqiptarë, që nuk lënë stadium pa shkuar për t’i mbështetur lojtarët tanë, si edhe në klubet ku luajnë. Duhet të mos tregohemi naivë, ftesa nga U-21 nuk ishte serioze, ishte thjesht një email i dërguar”.
Tani është zyrtare! Djali i Rudi Vatës zgjedh kombëtaren irlandeze para Shqipërisë







