“Dramë” në Laç, Apolonia i mohon fitoren dhe kreun skuadrës kurbinase

8 Mars 2021
14:58
Alfred Lleshi
back button

Laçi ka flirtuar me fitoren minimale ndaj Apolonisë deri në minutën e parafundit të kohës së rregullt. Kur thuajse kishte nisur festa e kapjes së vendit të parë të Superiores, vjen ndëshkimi i madh. Diop barazon rezultatin në minutën e 89-të, pas një dalje amatoreske të portierit Sherri, dhe iu ngrin buzëqeshjen vendësve. Të paktën derisa të mbarojë supersfida përmbyllëse e javës së 23-të të Superiores, Vllaznia-Kukësi, e cila starton në orën 16:00, në “Loro Boriçi”, kreu është me tri koka: Vllaznia, Teuta dhe Laçi.

Kurbinasit kanë krijuar shumë, por kanë vuajtur në finalizim. Duhej të hidhej në fushë Mazrekaj, me fillimin e pjesës së dytë, që prej këmbëve të tij të dilte një asist, i shndërruar në gol nga Shehu në minutën e 47-të. Fierakët kanë bërë qëndresë të admirueshme, sidomos me portierin e tyre, derisa ia dolën të merrnin një barazim “in extremis” në këtë transfertë të vështirë. Nga ana tjetër, skuadra e Shpëtim Duros nuk e shfrytëzoi më së miri hapin fals të dy rivalëve të tjerë për kreun dhe titullin, të konsumuar dje nga Teuta dhe Partizani.

Durrsakët barazuan në Ballsh, ndërsa të kuqtë u mposhtën si pritës nga Skënderbeu. Barazimi konsiderohet doemos gabim për Laçin, sepse për fare pak minuta lojë mund të kishin dy pikë më tepër se Vllaznia. Kjo e fundit, edhe me situatën aktuale të renditjes, vihet edhe më shumë nën presion. Shkodranët duhet të mposhtin Kukësin, që të kryesojnë të vetëm edhe pas këtij “stacioni” të garës.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit