Duka u jep mend italianëve: Unë do ta kisha shkarkuar Venturën, shkoja në Botëror

19 Nëntor 2019
15:37
Alfred Lleshi
back button

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002, është i dashuruar me trajnerët italianë. Madje, prej një viti, ai paguan dy të tillë për stolin e kuqezinjve. Sot do të diskutojë me Reja për rinovimin e marrëveshjes, për të nisur përgatitjet e kualifikueseve të ardhshme zyrtare të Ligës së Kombeve dhe “Katar 2022”. Në një intervistë me “Corriere dello Sport”, Duka lë të hapur mundësinë e rinovimit me 74-vjeçarin italian: “Unë mendoj se trajneri do të jetë ende Reja. Do të flas me të, kurrë nuk kam pasur asnjë dyshim. Por, më vjen keq për mënyrën sesi shkoi me Andorrën, bëmë gabim duke menduar se ishte një ndeshje e lehtë. Mbase të gjithë kemi menduar për stadiumin: a e shihni sa i bukur?! Për pak do të luanim aty, por kombëtarja duhet të respektojë çdo kundërshtar dhe të japë gjithçka në të gjitha ndeshjet”.

Shqetësimi i tij është mos vallë ka humbur kohë gjatë “Nation League”, që duhet të kishte garantuar një shans për “play off”, ndërsa njëra mes Maqedonisë dhe Kosovës mund të shkojë në Europian. E meqë ra fjala për “play off”, Duka godet aty: “Në vend të Tavecchio (po të isha në vend të tij), dy vite më parë unë do ta kisha përzënë Ventura, pasi humbi në Suedi, dhe do të kisha shkuar në Botëror”.

Reja trajner dhe Hysaj kapiten te Shqipëria, a do të vazhdojë përsëri kështu? Duka përgjigjet: “Më pëlqen shumë Hysaj, ai luajti një ndeshje të mirë edhe me Francën. Mbase nuk e kuptoj futbollin, por për mua mund të qëndronte në fushë (u zëvendësua në minutën e 82-të)…” Sidoqoftë, Hysajt i mungonin minutat e lojës me Napolin. A do të mbetet aty apo do të largohet në janar, mbase te Roma? Presidenti i FSHF-së hedh më shumë dritë në këtë drejtim: “Hysaj meriton të luajë dhe nuk mendoj se do të lëvizë në janar, sepse Ancelotti do të largohet. Më vjen keq për Carlo, edhe unë jam një tifoz i Milanit, por me sa di, De Laurentiis tashmë po kërkon një trajner të ri. Pastaj, në fund të sezonit djali (Hysaj) mund të shkojë e të luajë diku tjetër, e di që po i afron skadimi i kontratës. Më kanë thënë se nuk është e thjeshtë të punosh me De Laurentiis. Përkundrazi, e njoh Andrea Agnelli, i cili është me ekzekutivin e UEFA-s, i vlerësoj idetë e tij”.

Kombëtarja shqiptare ka disa lojtarë që luajnë në Serie A, një fakt krenarie për Dukën: “Për ne nuk është një gjë e vogël. Plus kësaj, me Hysaj dhe Djimsiti, më në fund kemi dy lojtarë në Ligën e Kampionëve. Veseli, gjithashtu, po shkon mirë. Por, ka edhe të tjerë. Për mua Kumbulla është gati për një ekip të shkëlqyer. Po të mos lëndohej, ai mund të kishte luajtur kundër Francës. Rrahmani, partneri i tij te Verona, gjithashtu luajti për ne, por më pas zgjodhi Kosovën. Më vjen shumë keq për të, që nuk vazhdoi me Shqipërinë. Ndoj do të bëjë më mirë, këtë vit e kanë penalizuar disa dëmtime”.

Presidenti i FSHF-së tregon si funksionon institucioni që drejton: “Këtu te ne kombëtarja vjen para klubeve. Nuk kemi ligë futbolli, federata drejton edhe mbarëvajtjen e kampionatit kombëtar. Ne jemi e vetmja federatë, që nuk merr para publike, qoftë nga shteti, qoftë nga Komiteti Olimpik. Në 4 vite kemi shpërndarë 100.000 topa falas për ekipet, së shpejti do t’i furnizojmë edhe me uniforma të lojës. Së shpejti do të hapim “Coverciano” tonë. Unë e di se presidenti i FIGC duhet të diskutojë me Ligën, ndërsa ne nuk debatojmë për kësi gjërash. Ndoshta, sepse te ne nuk ka para për të luftuar…”

Federatat dhe ligat kanë qenë aleate, megjithatë, ka mjaft debate për “Super Champions”. Duka, si anëtar i ekzekutivit të UEFA-s, jep mendimin e tij për këtë: “Ky projekt është braktisur, do të jenë tri kupa europiane. Po diskutojmë për ciklin 2024-2030. Për ekipet kombëtare, sidoqoftë, formati i Ligës së Kombeve ishte një sukses; garanton të drejtat televizive dhe lojëra konkurruese, në vend të miqësoreve të zakonshme, që janë të vështira për t’u organizuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit