Claude Makélélé, ish-mesfushori i PSG-së (2008-2011), është shumë i lumtur për Luis Enrique dhe e sheh fitoren në Champions League si apoteozën e një sezoni në të cilin spanjolli ishte kritikuar shpesh:
“Te PSG fshinë gabimet e bëra ndër vite dhe gjetën dikë që solli shpirt. Ai është Luis Enrique. Shumë vetë e kritikuan atë, por unë e dija se ai ishte personi ideal”, tha Makelele, tashmë 52 vjeç.
Më tej, ai shtoi: “Ai mori drejtimin sportiv dhe i dhanë një liri të caktuar për dy vjet, gjë që është shumë e rrallë. Unë i uroj vërtet suksese sepse ai është një person i mirë dhe ka ndihmuar të gjithë këta të rinj të rriten”.
“Jam shumë krenar për atë që kanë bërë dhe jam shumë i lumtur që fituan Champions League kundër Inter. Nga pikëpamja futbollistike ishte një kënaqësi e vërtetë t’i shikoje ata duke luajtur”, shtoi Makelele.
“Është e vështirë të konfirmosh veten, por sot kanë shumë besim te vetja dhe kanë një trajner shumë të mire, që arrin të lërë mënjanë egon e të gjithëve dhe kjo është vërtet shumë e rëndësishme në futbollin modern”, deklaroi Makelele.







