Egbo del hapur: Partizani duhet të luajë, qoftë dhe me të rinjtë!

9 Korrik 2020
18:25
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka folur para ndeshjes derbi kundër Partizanit. Ai mendon se sfida duhet të luhet dhe nëse “Demat” duhet të paraqiten në fushë me të rinjtë apo ekipin e dytë.

Derbi – “E kemi përgatitur si ndeshjen e radhës. E dimë që është derbi i fundit i këtij sezoni. Mendoj që jemi përgatitur siç duhet. Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me kismet të Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet”.

Derbi apo titulli? – “Nuk jam tifoz, ne gjithmonë fokusohemi te objektivi. Çdo klub ka objektivin e vet. Do vazhdojmë me objektivin që na ka vënë klubi në fillim të sezonit”.

Mbledhja e etikës – ” Ka persona të tjerë që mund ta japin këtë përgjigje. Unë jam trajneri, dhe merrem me atë që ndodh brenda fushës. Ka drejtor, president, menaxher, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata. Nuk e di fare çfarë kishte Komisioni i Etikës sot. Ne fokusohemi te fusha, atje kemi punë. Aty vazhdojmë punën tonë”.

Covid-19 te Partizani – “Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë”.

A duhet të luhet? – Rregulloja e thotë qartë që nuk e ndalon zhvillimin e ndeshjes. Ndeshja vazhdon. Lojtarët e infektuar izolohen. Çdo lojtar tjetër qofshin ata edhe të akademisë mund të aktivizohen pa problem, janë lojtarë të klubit qoftë të Tiranës apo Partizanit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit