Federata e Peshëngritjes replikon me Qerimajn pas akuzave për doping dhe përvetësim fondesh nga presidenti Gjoza

22 Shkurt 2024
13:51
Telesport
back button

Pas akuzave që shtangisti shkodran Erkand Qerimaj ngriti sot se një sportist ka dalë pozitiv me doping, por kjo gjë është mbajtur e fshehtë nga Federata e Peshëngritjes, ka ardhur replika e kësaj të fundit: “Ka ndodhur një disinformim publik nga ana e një prej sportistëve tanë, z.Erkand Qerimaj. Ai shprehet se ka ndodhur një rast në sportin tonë, pozitiv me DOPING dhe pretendimi i tij është se Federata e ka mbajtur të fshehur me motivacionin për mbrojtjen e Federatës dhe presidentit. Ky eshte nje pretendim absolutisht i pavërtetë dhe disinformues. Në FSHP nuk ka asnjë njoftim që një prej sportistëve tanë të jetë kapur pozitiv me DOPING dhe Federata ta ketë fshehur këtë rast”.

Më tej, duke postuar edhe përgjigjet e testeve më të fundit antidoping, FSHP sqaron: “Përkundrazi, Federata ka një bisedë zyrtare nëpërmjet email me OKAD (Organizata Kombëtare Antidoping), të cilës i drejtohemi dhe interesohemi nëse nga testimet e fundit, mbajtur më 13.01.2024, me propozimin e Federatës për testimin e 6 sportistëve pretendentë në Kampionatin Kombëtar për të rritur është ndonjë sportist i dyshuar pozitiv. OKAD përgjigjet se sportistët e testuar mund të gjejnë rezultatet e testimeve në llogarinë e tyre në sistemin ADAMS”.

Një tjetër akuzë e Qerimajt është ajo e përvetësimit të fondeve nga ana e presidentit Elez Gjoza. Për këtë çështje, Federata poston faturat e akomodimit dhe sqaron: “Një pretendim qesharak dhe i shpifur. Grumbullimi i bërë për Europianin në Sofie dhe fatura e këtij aktiviteti është mundësuar nga njohjet personale të presidentit me një hotel, nëpërmjet një kontrate shërbimi me të drejtë kthim pagese me ardhjen e fondit. Dhe, nëse Federata do të priste dhe do të vepronte në momentin që do të vinte fondi grand asnjë sportist nuk do grumbullohej dhe asnjë sportist nuk do të ishte pjesëmarrës në këtë kampionat kaq të rëndësishëm”.

Më tej, FSHP shkruan: “Presidenti jo vetëm që nuk ka përvetësuar fonde nga Federata (gjë lehtësisht e verifikueshme) por ka ndihmuar financiarisht Federatën me njohjet e tij personale si:

1- Mundësimi i financimit nga biznese të ndryshme në momentet që Federata nuk ka marrë fondin grand apo ky fond është shpenzuar me të drejtë kthim fondesh kur Federata të ketë mundësine ekonomike.

2- Aktiviteti i mbajtur në Katar, në dhjetor 2023, periudhë që Federata ka qenë pa fonde, akomodimi i grupit të sportistëve dhe trajnerëve shqiptarë, ushqimi, taksa e pjesëmarrjes dhe transporti i brendshëm që mbulon marrësi i aktivitetit në Katar ka qenë e sponsorizuar nga presidenti i Federatës së Katarit prej lidhjeve të ngushta me presidentin e Federatës sonë.

3- Biletat e avionit për në aktivitetin e Katarit janë mundësuar nga njohjet personale të presidentit me të drejtë pagese në momentin që do të vinte fondi grand gjë e cila nëse nuk do të realizohej asnjë sportist nuk do të ishte pjesëmarrës në këtë aktivitet.

4- Aktiviteti i këtij viti që do të mbahet në Bahrein, në muajin dhjetor 2024, do të jetë gjithashtu një event në të cilin akomodimi, ushqimi, taksa e pjesëmarrjes dhe transporti i brendshëm do të sponsorizohet nga presidenti i Federatës së Bahrein, prejt lidhjeve të miqësore me presidentin e Federatës tonë.

I themi z.Qerimaj që presidenti absolutisht me fondin e tij personal ka të drejtë të marrë me vete këdo familjar të tij pa iu detyruar një shpjegim askujt”.

Letra e gjatë e hapur e Federatës së Peshëngritjes vijon si më poshtë, duke aluduar  se akuzat e shkodranit vijnë pas rezultateve të eventit të fundit në Bullgari: “Sigurisht që çdo veprim apo reagim e ka një shkak nga se vjen. Shkaku i këtij postimi është gara e fundit në Sofie të Bullgarisë.  Shkak i këtij postimi vjen si pasojë e arritjes të “rrëmbimit” të dy medaljeve nga sportisti Kristi Ramadani dhe mbështetja e sportistëve të rinj nga Federata. Ne, si çdo Federatë tjetër, do të mbështesim sportistët e rinj, çdo individ që ka të ardhme në këtë sport dhe nuk do të investojë kurrë në marrjen e talentëve të huaj, nga shtetet e tjera. Mendojmë dhe besojmë se Shqipëria jonë e vogël ka shumë mundësi të nxjerrë plot talente të reja”.

Më tej, FSHP hidhet në kundërsulm dhe akuzon shtangistin shkodran si nismëtar të një incidenti me presidenti Elez Gjoza një ditë më parë: “Federata do të mbështesë çdo sportist të ri dhe do të investoje tek ata me çfarëdo lloj kostoje apo shpifjeje që vijnë nga këta individë. Shkak i ketij postimi ka qenë Erkand Qerimaj, i cili mori vesh ditën e djeshme se Federata s’do ta ndalojë kurrë nismën e saj per promovimin, sponsorizimin dhe mbështetjen e brezit te ri. Dje, z.Qerimaj donte të ishte iniciator i një incidenti me presidentin në një ambient public, incident i cili u shmang nga presidenti, pasi roli i këtij të fundit është bashkëpunues dhe jo përçarës. Ky incident donte të iniciohej nga Qerimaj pasi i është drejtuar Presidentit: Pse po mbështet të rinjtë kot pa motiviacion si Kofsha, Rrasa , Mullisi dhe specifikisht Kristi Ramadani dhe po na harxhon fondin kur mund të na e japësh ne të rriturve?”

Përgjigjja e presidentit ishte: Erkand mos fol kështu sepse Kofsha në Meksikë u shpall kampion bote, Rrasa , Mullisi dhe Carja janë sportistë me shumë perspektivë, të cilët renditen në 5-7 vendet e para në Europë dhe botë, ndërsa Kristi Ramadani ishte sportisti që të mundi ty me 6kg në dygarësh në Sofie. Fjalia e fundit ishte ajo çka e irritoi me shumë Qerimajn dhe nga nervat donte të krijonte një incident i cili u shmang me kujdes. I themi z.Qerimaj se Federata do të vazhdojë ashtu siç ka bërë 3 vitet e fundit dhe do ta çojë deri në fund këtë nismë: Do të mbështesë brezin e ri dhe do të krijojmë një zëvendësim brezash. Federata dhe presidenti nuk tremben nga askush dhe asgjë sepse çdo gjë është e pastër si Kristal”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, FSHP ngre disa pyetje për Qerimajn dhe deklaron se do ta nxjekë çështjen në rrugë ligjore: “Meqë z.Qerimaj pretendon këto akuza për presidentin pse kërkon çdo ditë të konsumojë kafën e mëngjesit me të? Pse kërkon presidentin për dreka me të dhe trajnerin e tij për këshillime si do të jetë vazhdueshmëria e tij? Pse z.Qerimaj dhe zonja e tij e nderuar i kanë bërë dhuratë zonjës së presidentit në aktivitetet e fundit? Çdo akuzë e Qerimajt vjen si pasojë e fjalisë të thënë nga Presidenti: Ramadani, i riu të cilin ti mendon se unë bëj gabim që e mbështes, të mundi në garën e fundit me 6kg diferencë dhe arriti të marrë 2 medalje argjendi. Problemi i z.Qerimaj është se mendon se nuk ka asnjë sportist mbi të por e ka gabim. Për Federatën çdo sportist është i njëjtë si gjithë të tjerët. Qerimaj kërkon që të marrë në mënyrë të padrejte fonde të pamerituara. Absolutisht që ne nuk do lejojmë askënd që të përfitoje pa të drejtë. I bëjmë thirrje Erkandit që në nuk trembemi siç të i bën presion trajnerëve se do t’i ndërrosh si trajnerë, për të marrë shpërblimet e tyre në momentin që ti fiton medalje si trajneri Zef Kovaçi, Sokol Bishanaku apo Dritan Shpata. Për çdo akuzë të Qerimajt, ne njoftojmë se do t’i drejtohemi gjykatës dhe organeve kompetente përt shpifje, disinformim publik dhe prishje imazhi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit