Gerard i “jep duart” Grezdës, shqiptari kthehet në “fole”

6 Janar 2020
13:50
Alfred Lleshi
back button

Eros Grezda i jep fund makthit në Ibrox, duke u rikthyer në Kroaci. Rangers ka zyrtarizuar “divorcin” me futbollistin shqiptar, për të cilin konfirmon ribashkimin me Osijek mbi baza të përhershme. Sulmuesi anësor i kombëtares kuqezi u ble për 2 milionë euro nga gjigantët skocezë, por nuk arriti të ngjisë në futbollin britanik, nën urdhërat e një legjende si Steven Gerard. Atij iu bë e qartë se nuk kishte të ardhme në këtë klub, pas incidentit me pështyrje të kundërshtarit, gjatë një ndeshjeje kupe.

Rangers nuk arriti ta shesë 24-vjeçarin shqiptar gjatë merkatos së verës së kaluar, pavarësisht interesit nga Katari për të. Megjithatë, sipas “The Sun” (versionit skocez), është arritur marrëveshja e rikthimit të tij në Kroaci, tek Osijek, duke iu dhënë fund 18 muajve në Skoci. Grezda kishte akoma dy vite e gjysmë kontratë me Rangers, por trajneri Steven Gerrard nuk e llogariste fare. Ish-kapiteni i Liverpool është i lumtur që e largoi 24-vjeçarin nga lista e pagave.

“SunSport” kupton se Rangers ka futur një klauzolë shitjeje në marrëveshjen me klubin kroat, në bazë të cilës përfiton një pjesë të transferimit të ardhshëm. Ky do të jetë një rikthim tek Osijek për Grezdën, sepse që aty bëri kapërcimin e madh (në letër) te gjigantët skocezë. Me klubin kroat u aktivizua në sezonin 2017-2018, kur luajti 26 ndeshje dhe shënoi 5 gola. Po në Kroaci, ai ka provuar të veshë edhe fanellën e Lokomotiv Zagreb. Më herët, ka përfaqësuar dy skuadra sllovene, Zavrč dhe Aluminij. 24-vjeçari ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar një gol me kombëtaren kuqezi. 

Trajneri Edy Reja nuk e ka llogaritur fare deri tani, por ky rikthim në Kroaci duket se bëhet në funksion të rifitimit të kombëtares. Aktivizimi dhe paraqitja e mirë, me siguri nuk do të shkojnë dëm, sepse po flasim për një lojtar mjaft të talentuar. I duhet vetëm përqendrim e disiplinë në fushën e blertë. Ndoshta kalimi i festave të fundvitit në Dubai me bukuroshen shqiptare, Oriola Marashi, e ka kthjelluar më shumë atë për rrugën që duhet të ndjekë. Kroacia është më afër Shqipërisë dhe anasjelltas, se Skocia. Rrjedhimisht, edhe më afër familjes e… zemrës!!!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit