Gol ndaj Hungarisë apo Polonisë? Cikalleshi bën zgjedhje “diplomatike”

7 Tetor 2021
14:48
Alfred Lleshi
back button

Në konferencë për shtyp nga grumbullimi kuqezi doli sot edhe Sokol Cikalleshi, sulmuesi që po kalon një formë mjaft të mirë në Turqi me Konyaspor. Në prag të transfertës në Hungari, më 9 tetor, kavajasi i kombëtares nënvizoi para gazetarëve:

Formacioni ndaj Hungarisë…
Fillimisht dua të uroj presidentin Duka për ditëlindjen. Përveç shëndetit dhe mbarësisë në familje, uroj që të gjithë së bashku të arrijmë të kualifikohemi për në Botëror. Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar. E kam bërë përgjatë gjithë këtyre viteve. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe të jap maksimumin tim. Shpresoj ta bëj edhe në vazhdim, në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe unë mund ta ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve, duke u nisur nga këto dy ndeshje. Uroj që të kem sa më shumë minuta dhe të shënoj, pasi kam pasur një vazhdimësi të mirë.

Si është situatë në grupin kuqezi?
Duke iu referuar sulmit, në momentin që sulmuesit shënojnë është diçka pozitive, por nuk duhet të fokusohemi vetëm te sulmi. Ekipi duhet të funksionojë si një i tërë, si një grup. Të gjithë lojtarët në klubet e tyre po marrin minuta dhe kjo besoj se është më e rëndësishme. Uroj që të vazhdojmë të jemi grup, siç kemi treguar kohët e fundit. Kemi luajtur ndeshje të mira, kemi marrë edhe rezultate. Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne, që na tregojnë nëse mund të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Duke qenë se jemi përpara këtyre ndeshjeve, që janë shumë të rëndësishme, jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive, që mund të na dërgojnë në Botëror.

Marrëdhënia juaj me Çekicin në klub?
Te Konyaspor kemi një partneritet shumë të mirë, Çekici ka ardhur dhe ka bërë një kampionat të mirë, duke shënuar gola të mrekullueshëm. Është një lojtar mjaft cilësor, që besoj se do t’i shërbejë shumë kombëtares. Ne jemi një grup prej 23 lojtarësh, të gatshëm për të luajtur. Duke pasur dhe një trajner me eksperiencë, që i shikon shumë mirë gjërat me detaje, secili prej nesh jep maksimumin.

Vetëm për fitore në Hungari?
Kur shkojmë në transfertë, nuk është e thënë se shkojmë vetëm për 3 pikë, sepse futboll është dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. Por, duke parë momentin dhe formën e lojtarëve tanë, mendoj dhe më vjen mirë që shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen. Personalisht mundohem që të flas më shumë në fushë dhe besoj se si unë, edhe ekipi, dëshirojmë ta tregojmë sa vlejmë në fushë.

Më mirë gol ndaj Hungarisë apo Polonisë?
Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj saj, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në “Air Albania”, Poloninë dhe Levandovskin do t’i mundnim pastaj.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit