Hysaj: Kundër Serbisë me qetësi dhe profesionalizëm, duam të fitojmë për kombin

2 Qershor 2025
12:42
Alfred Lleshi
back button

Në prag të përballjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, Elseid Hysaj doli para mediave nga grumbullimi i kombëtares kuqezi. Mbrojtësi i Lazios ndau mendimet e tij rreth ndeshjes që do të zhvillohet më 7 qershor në “Arena Kombëtare”.

I pyetur për ndjesinë që sjell kjo sfidë, duke pasur parasysh edhe historinë mes dy kombeve, Hysaj theksoi rëndësinë që duhet t’i jepet aspektit sportiv: “Kjo është ndeshje e rëndësishme, pasi sfidojmë një kundërshtar direkt në grup. Marrëdhëniet mes vendeve? Ne futbollistët nuk duhet të përzihemi me këto gjëra, pasi ka kush merret me këtë punë. Të koncentrohemi dhe të mendojmë për kundërshtarin, jo për probleme të tjera”.

Në rolin e një prej lojtarëve më me përvojë në skuadër, mbrojtësi i Lazios tha se përpiqet të ndikojë pozitivisht te bashkëlojtarët, sidomos në aspektin psikologjik: “Të gjithë futbollistët janë fokusuar dhe e dinë se kjo ndeshje që është e rëndësishme për futbollin dhe jo vetëm. Kam folur me disa lojtarë për ndeshjet e kaluara që kemi luajtur bashkë dhe të gjithë e dinë historinë e Shqipërisë. Të jemi sa më të qetë dhe të bëjmë sa më mirë në fushë”.

Kur u pyet nëse sfida me Serbinë është një burim shtesë motivimi për lojtarët, Hysaj e pranoi presionin, por theksoi rëndësinë e qetësisë: “Kemi presion të madh, por besoj se do të zbresim në fushë me kurajo. Është përballje e veçantë, por mbi të gjitha ndeshje futbolli. Këto janë ndeshje futbolli ku duhet të futemi me qetësi dhe të marrim 3 pikët”.

Ai gjithashtu komentoi edhe ngarkesën politike që shpesh lidhet me këtë përballje, duke iu referuar edhe eksperiencës së mëparshme ndaj Serbisë: “Të gjithë e kanë parë ndeshjen në Serbi, nuk ishte e bukur. Është një ndeshje që e luajmë për kombin tonë, nëse fitojmë do të jetë krenari e madhe. Do të luajmë kundër Serbisë, por ne mendojmë për profesionin, jemi futbollistë”.

Sa i takon formës fizike dhe përgatitjes së ekipit, pas përfundimit të kampionateve, Hysaj tregoi optimizëm dhe vlerësoi gjendjen e skuadrës: “Unë ndihem mirë, sepse u riktheva nga një dëmtim. Tani ndihem shumë mirë. Gjithë çunat janë mirë, kampionatet mbaruan, mund të jenë të lodhur, por kombëtarja të tjetërson. Ndeshja që na pret është e veçantë, duhet të luajmë me zemër dhe shpirt. Duhet të jemi të qetë, pasi mund të jetë tifozëri e zjarrtë. Ta mendojmë mirë hapin që hedhim, kur të jemi në fushë”.

Në lidhje me qasjen e trajnerit Sylvinho për këtë ndeshje, mbrojtësi kuqezi theksoi mesazhin e qetësisë: “Trajneri bën punën e tij, na mban me mendimin që të jemi të qetë dhe mos ta marrim me presion këtë ndeshje. Jemi të gjithë profesionistë. Serbia ka lojtarë të fortë, kemi luajtur në kampionate me ta, si në Serie A. Edhe ata e dinë që ne mund ta fitojmë këtë ndeshje”.

Duke e mbyllur me rëndësinë e 3 pikëve në këtë përballje direkte, Hysaj shtoi: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por kjo është direkte. Serbia është kundërshtar që do ta sfidojmë për vendin e dytë në grup. Anglia është skuadër shumë e fortë, nëse barazon ndaj saj përbën mrekulli. Kundër Serbisë mund t’i luajmë kartat tona, i kemi mundësitë për ta fituar ndeshjen e 7 qershorit”.

Sikurse duket, në një atmosferë të ngarkuar, Hysaj i dërgon mesazh qetësie dhe përqendrimi kombëtares kuqezi, duke e kthyer këtë sfidë të madhe në një motivim për krenarinë dhe profesionalizmin kombëtar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit