Prilli do të jetë një muaj pa Formula 1 në pistë. Siç pritej, botërori i këtij viti nuk do të ndalet as në Bahrein dhe as në Arabinë Saudite muajin tjetër për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe situatës në rajon. Nuk dihet nëse këto dy gara do të zhvillohen në një periudhë tjetër apo jo.
Kalendari i Botërorit 2026 do të ketë një boshllëk prej katër javësh: pas garës së Suzukës (29 mars), Formula 1 do të rindezë motorët e saj më 1 maj, për garën e Majemi. Për pasojë, ky sezon mund të ketë vetëm 22 gara nga 24 që ishin planifikuar.
Presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, tha: “Edhe pse ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, për fat të keq është i duhuri në këtë fazë, duke marrë parasysh situatën aktuale në Lindjen e Mesme”.
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar FIA-n dhe organizatorët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre të plotë, pasi ata mezi prisnin të na pritnin me energjinë dhe pasionin e tyre të zakonshëm. Ne mezi presim të kthehemi tek ata sapo rrethanat ta lejojnë”, tha Domenicali.
F1 priti deri në minutën e fundit për të ruajtur kalendarin origjinal, por nuk kishte kohë të mjaftueshme për të organizuar një garë zëvendësuese në Imola ose Portimão, me vetëm një muaj njoftim, megjithëse Formula 1 i shqyrtoi këto mundësi.








