Lajm i keq për Shqipërinë, FIFA bllokon Nedim Bajramin

1 Prill 2021
8:46
Alfred Lleshi
back button

Ka katër kualifikuese të Kampionatit Europian U-21 me Zvicrën, ndaj FIFA nuk e lejon të ndryshojë kombëtare. Nedim Bajrami mbetet peng i burokracive, pa debutuar dot me kuqezinjtë. Madje, sipas gjasave, mund të mos luajë dot me Shqipërinë. Mesfushori i Empolit vendosi të lërë helvetët dhe të vijë në kombëtaren tonë, mori pasaportën kuqezi dhe priste leje-kalimin përkatës të FIFA-s. Kjo e fundit e bllokoi, me siguri pas ndonjë reklamimi të Zvicrës.

Sipas rregulloreve, ndryshimi i kombëtares miratohet vetëm nëse lojtari nuk ishte ende 21 vjeç, kur luajti ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare në një kompeticion zyrtar. Kjo është ajo që thotë në rregulloret e FIFA-s, në nenin 9, paragrafi b (iii). Bajrami nuk e plotëson këtë kusht, që të ndërrojë zviceranët për kuqezinjtë. Tashmë mbetet e dyshimtë nëse dera e ekipit kombëtar të Zvicrës do të hapet përsëri për të. Edhe pse ka luajtur një rol kryesor në rrugën për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian U-21.

“Ne u përpoqëm shumë për ta bindur Nedim Bajramin që të vazhdojë të luajë me Zvicrën. Më pas ai na tha se zemra e tij rreh më shumë për Shqipërinë, – nënvizoi trajneri i U-21, Mauro Lustrinelli, pas vendimit të 22-vjeçarit. – Për ne, identifikimi është një vlerë thelbësore për të luajtur me ekipet kombëtare të Zvicrës”.

Bajrami, i cili u trajnua te Grasshoppers, ka punuar për ekipet kombëtare të të rinjve zviceranë që nga viti 2013 dhe ka 50 ndeshje me to. Disa ditë më parë ai fluturoi drejt Shqipërisë për kualifikueset e Kupës së Botës kundër Andorrës, Anglisë dhe San marinos. Bajrami nuk u përdor për shkak të mungesës së leje-kalimit të FIFA-s për të luajtur.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit