Liga Profesioniste, ultimatum qeverisë: Pa plotësuar këto 4 kushte, s’ka më futboll në Shqipëri!

5 Gusht 2020
14:31
Alfred Lleshi
back button

Liga e Futbollit Profesionist në Shqipëri e “trash zërin” më në fund, bëhet e gjallë. Pas mbledhjes së ditës së sotme me presidentët e klubeve të Superiores, ky organ ka dalë me një vendim të fortë, duke paralajmëruar bojkotimin e kampionatit kombëtar që nga 12 shtatori e në vazhdim. Që të mos ndodhë kjo, qeveria shqiptare duhet të marrë parasysh kërkesat e saj, të mbështetura nga 9 klube të Superiores (vetëm Teuta nuk figuron që ka firmosur), të cilat janë të kartakterit ekonomik dhe duhen pasqyruar në ligjin për sportin. Ja deklarata e plotë e LPF:

“Liga Profesioniste te Futbollit, pasi u njoh me ndryshimet ligjore për sportin, të realizuara deri më tani, konstaton me keqardhje se këto ndryshime nuk iu japin zgjidhje kërkesave te klubeve te Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria Shqiptare në tryezën e 11 marsit 2019. Në këto kushte, Liga Profesioniste e Futbollit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë:

1. Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.
2. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
3. Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
4. Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

Për sa më sipër, LPF vendosi të bojkotojë Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore nga data 12 shtator e  në vijim, deri në plotësimin e kërkesave te mësipërme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit