Lila: Si na motivoi De Biasi para Serbisë, me pamje nga Prekazi dhe genocidi në Kosovë

23 Prill 2021
10:18
Alfred Lleshi
back button

Ajo mbrëmje ishte sa dramatike, aq edhe krenarie për mbarë shqiptarët në botë. 11 luanëve kuqezinj në fushën e blertë, shto dhe të tjerët në stolin e kombëtares, nuk iu bëri syri tërr, edhe pse realisht rrezikonin jetën në atë mjedis skajshmërisht armiqësor dhe gati për luftë. Po flasim për natën e 14 tetorit 2014, kur Shqipëria luajti ndeshjen kualifikuese në Beograd. Sikurse dihet, ajo ndeshje nuk përfundoi kurrë, nuk konsumoi dot as 45 minutat e pjesës së parë, sepse droni që fluturoi mbi stadium, i ngritur nga Ballist Morina, i tërboi serbët.

Qoftë ata në fushën e lojës, qoftë mijërat në shkallët e stadiumit, shpërthyen në histeri nacionaliste ndaj shqiptarëve. Lojtarët tanë kuqezinj edhe u goditën nga disa tifozë vendës, që hynë në tapetin e blertë. Se çfarë ndodhi më tej dihet, nuk mund të harrohet kurrë nga shqiptarët. Përfundimisht, ne e fitaum atë ndeshje 3-0 në tavolinë, në CAS, dhe shkuam në finalet e “Euro 2016” për herë të parë në histori. Andi Lila, i ftuar në “Abc e Pasdites”, tregoi se si u karikuan për atë ndeshje të vështirë, sidomos në planin psikologjik.

Meritë për këtë paska pasur edhe ish-trajneri De Biasi, edhe pse për shqiptarët në kësi përballjesh adrenalina është në maksimum. Dhe e treguan në fushën e blertë, duke u përballur dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarin, kur futbolli ia la vendin betejës për të mbrojtur flamurin dhe simbolet kombëtare në flamurin që varej me dron.

“De Biasi na thotë do të futemi te dhoma e videoanalizës para ndeshjes, sepse do t’ju tregoj një video. Në video ishin kosovarët që iknin për shkak se serbët donin të bënin genocide. Kishte pamje nga Prekazi, ku tregoheshin të vrarët, dëshmorët. Pamjet shoqëroheshin me një recitim të Reshat Arbanës dhe kënga “Mora fjalë”. Nga këto, motivimi ishte i jashtëzakonshëm. Kjo këngë më ka ngel në mendje qysh atëherë”, – kujton Lila.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit