Maradona i shënon “golin e madh” firmës së famshme të modës

10 Dhjetor 2019
13:24
Alfred Lleshi
back button

Diego Maradona i shënon një “gol të madh” kundër firmës së famshme të modës, “Dolce & Gabbana”, duke fituar çështjen gjyqësore ndaj saj. Padia ishte bërë nga legjenda e futbollit argjentinas për përdorimin abuziv të emrit dhe imazhit të tij. Gjykata e Milanos, përmes vendimit të saj, e detyron D&G të paguajë dëmet. Shkaku i padisë i referohet një ngjarjeje festive dhe promovuese të organizuar në Napoli, në vitin 2016. Në veçanti, një modele kishte bërë paradë me një bluzë blu të veshur, të ngjashme me atë të Napolit, e cila mbante emrin e Maradonës mbi numrin 10.

Sipas Gjykatës së Milanos, përdorimi i emrit të Maradonës “përcjell indikacione të veçanta të sharmit historik dhe përsosmërisë tij si futbollist, ndaj palët e treta nuk mund të lejohen t’i përdorin ato, pa pëlqimin e paditësit”. Gjykata ka theksuar se kjo nuk korrespondon as me rregullat e tregut, ndaj ka konstatuar sjelljen e paligjshme të D&G, ku “përdorimi i emrit të Maradonës ishte në mënyrë të qartë përvetësim i imazhit të tij nga D&G, duke synuar të bëhej tërheqëse me kujtimin e historisë prestigjioze sportive të futbollistit legjendar”. Mbi këtë bazë, D&G u urdhërua të paguante dëmshpërblim ndaj ish-futbollistit me përmasa globale. Maradona u mbrojt në këtë çështje ga avokatët Corea, Tigani Sava dhe Albano.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit